Sot shënohen dy muaj nga tërmeti katastrofik i 26 Nëntorit 2019 që goditi vendin tonë, duke shkaktuar 51 viktima.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se edhe pas 2 muajsh, shteti ka dështuar në menaxhimin e situatës pas tërmetit.
Shumë qytetarë jetojnë ende nëpër çadra, thotë Basha, ndërkohë që shumë të tjerë nuk kanë marrë bonusin e qirasë.
“Dy muaj pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ndërsa përkujtojmë me dhimbje 51 jetët e humbura, të gjithë jemi dëshmitarë sesi shteti i babëzisë dhe korrupsionit ka dështuar në çdo detyrë. Sot nuk ka ende një faturë reale dëmesh të vlerësuara. Sot nuk ka ende një vlerësim përfundimtar të objekteve të pabanueshme dhe të dëmtuara.
Sot ka ende mijëra familje që kalojnë ditët e ftohta nëpër çadra, pa asnjë ndihmë nga shteti. Sot qytetarët vazhdojnë të sorollaten nga njëra zyrë në tjetrën për të marrë bonusin e qerasë. Sot ka mijëra qytetarë të cilët nuk kanë ku të fusin kokën dhe nga dëshpërimi, janë futur në banesat e dëmtuara duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të fëmijëve. Sot fëmijë e të moshuar janë në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kushteve të vështira në të cilat po mbijetojnë që prej dëmtimit të shtëpive. Ende banorët pyesin se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre, por nuk marrin përgjigje. Ende sot nuk ka asnjë masë për të ndihmuar në ringritjen e biznesit në Durrës e në zona të tjera të dëmtuara nga tërmeti”.
Kryedemokrati Basha akuzon kryeministrin Rama dhe qeverinë për këtë situatë, ndërsa i mëshon sërish idesë së tij fillestare, asaj të anulimit të koncesioneve dhe përdorimin e këtyre parave për qytetarët e prekur nga tërmeti.
Më tej, Lulzim Basha vijon akuzat në drejtim të Prokurorisë për hetimet e rrëzimit të pallateve në Thumanë, ku humbën jetën 24 persona. Shembjen e ndërtesave në Thumanë, kreu i PD-së e konsideron krim shtetëror.
“Sot është e qartë për qytetarët se kjo qeveri dhe ky Kryeministër i dështuar prodhon vetëm gënjeshtra dhe korrupsion, gjë të cilën e vërtetoi edhe raporti i Transparency International. Nëse 150 milionë Dollarët që Edi Rama u jep 10 oligarkëve do të ishin akorduar për qytetarët, sot do të ishin strehuar në banesa me qira çdo qytetar që është lënë në mëshirë të fatit. Nëse qeveria do të kishte miratuar paketën ndihmëse për biznesin e dëmtuar, do të kishte nisur rimëkëmbja.
Ndërkohë për krimin shtetëror në Thumanë që mori 24 jetë, nuk ka asnjë të arrestuar, asnjë hetim serioz, vetëm heshtje nga prokuroria politike që mbron Dakon dhe Bushin me urdhër të Edi Ramës. Çdo ditë dështimi dhe mashtrimesh, është një ditë vuajtjesh më shumë, një mundësi e humbur për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë dhe për të kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike dhe rikthimin në normalitet të jetës së mijëra familjeve. Dhimbja dhe vuajtja e tyre nuk mund të kapërcehen me lugën bosh të një Kryeministri të dështuar”, shkruan Lulzim Basha në Facebook.