Bayern Munchen pësoi humbjen e tretë sezonale, pasi u mund 2-1 në fushën e Bayer Leverkusen dhe u detyrua t’ia dorëzojë kreun e Bundesliga-s Borussia Dortmund-it.
Kampionët e Gjermanisë shënuan të parët me anë të Kimmich në të 22’ dhe për minuta të tëra dominuan, duke dhënë përshtypjen e një tjetër fitoreje rutinë në kampionatin gjerman. Kështu ndoshta mendoi trajneri Julian Nagelsmann, i cili në fillim të pjesës së dytë kreu tre zëvendësime, duke larguar Cancelo, Mane dhe Muller për Gnabry, Coman dhe Musiala.
Por dhjetë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, një ndërhyrje në zonë u lejua fillimisht nga arbitri, i cili pasi e pa në VAR, akordoi 11-metërsh, të realizuar me mjeshtëri nga Palacios. Argjentinasi do të kalonte në avantazh vendasit e drejtuar nga ish-bavarezi Xabi Alonso në të 73’. Edhe në këtë rast, VAR ishte vendimtar. Fillimisht gjyqtari akordoi të verdhë për simulim për sulmuesin e Leverkusen, por pasi e rishikoi aksionin, bëri me shenjë nga pika e bardhë dhe ndëshkoi me të verdhë mbrojtësin e Bayern, Upamecano.
Bayern u përpoq deri në fund të gjente golin e barazimit, por ishte pa ide dhe nuk ia doli. Kampionët e Gjermanisë tani kanë 2 javë pushim, ndërsa presin Dortmund në “Allianz Arena” më 1 prill, në sfidën direkte për titull.