20 persona janë shoqëruar deri më tani për vrasjen e Arben Mërkurit (Ismaili), i ekzekutuar një natë më parë në Durrës.
Në atentat dyshohet se morën pjesë 2 persona, njëri në rolin e atentatorit e tjetri në drejtim të mjetit.
Autoritetet thonë se po hetojnë në disa pista.
48-vjeçari Arben Mërkuri mbeti i vrarë në dyqanin e tij në zonën e Sukthit, mbrëmjen e së mërkurës. Autori doli nga mjeti dhe hapi zjarr në drejtim të 48-vjeçarit, i cili mbeti fillimisht i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë më pas në spital.
Mërkuri ishte person me precedentë penalë.
Ai njihej me pseudonimin “Maneci”. Në skedat e Policisë së Durrësit, ai evidentohet si person me precedent në fushën e lëndëve narkotike. Ndër të tjera në skedarët policorë dyshohet për krime kundër personit, të tilla si vrasje me pagesë, por zyrtarisht asgjë nuk është e dokumentuar.
Gjithashtu, Arben Mërkuri është një nga personat e dyshuar që mund të ketë marrë pjesë në dhunimin barbar të biznesmenit libanez Fadi Mitri, ngjarja e ndodhur në vitin 2016.