Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me atë malazeze, kanë zbardhur tentativën për trafikim të një sasie prej rreth 2 tonë kanabis nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit drejt vendeve të BE-së.
Në njoftimin e policisë, bëhet e ditur se janë kapur dhe vënë në pranga dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin, si dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër si bashkëpunëtor.
Në pranga janë vënë shtetasit A. T., 36 vjeç dhe P. Sh., 41 vjeç, banues në Lushnjë, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër.
Sipas policisë, nga veprimet e para rezultoi se kamioni me drejtues shtetasin E. C. ishte ngarkuar në magazinën në pronësi të shtetasit P. Sh., i ndihmuar nga shtetasi A. T. dhe personi i shpallur në kërkim.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale.