Një gjykatëse në Maltë dënoi të premten dy vëllezër me nga 40 vjet burgim secilin, pasi ata pranuan papritur fajësinë për rolin e tyre në vrasjen me makinë bombë të një gazetareje që shkruante për korrupsionin, që kishte tronditur Europën dhe kishte shkaktuar protesta të indinjuara në Maltë.
Vetëm disa orë më herët, në fillim të seancës në një gjykatë në Valletta, George Degiorgio, 59 vjeç, dhe Alfred Degiorgio, 57 vjeç, ishin deklaruar të pafajshëm për vdekjen e Daphne Caruana Galizias në shpërthimin që ndodhi ndërsa ajo po i jepte makinës pranë shtëpisë së saj më 16 tetor 2017.
Zonja Caruana Galizia ishte gazetare investigative që raportonte për korrupsionin e dyshuar midis qarqeve politike dhe të biznesit në vendin e vogël të Bashkimit Evropian, i cili është një parajsë fiskale në Mesdhe.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara, për të vendosur drejtësinë në një çështje që përbën një kapitull të errët në historinë e Maltës,” thuhej në një deklaratë të lëshuar nga zyra e kryeministrit Robert Abela menjëherë pas dënimit.
Një nga djemtë e saj, Matthew Caruana Galizia, u tha gazetarëve: “Jam i lehtësuar që ata u dënuan. Tani duhe të ndiqen rastet e tjera,” tha ai, duke iu referuar ndjekjes penale të të pandehurve të tjerë.
Por ai shtoi se pesë vitet që u deshën për të arritur këtë fazë të drejtësisë për nënën e tij ishin “shumë të gjata”.
Gjyqtarja Edwina Grima, doli nga salla e gjyqit për rreth një orë pas pranimit të fajësisë dhe i shpalli dënimet kur u kthye.
Dy të pandehurit u urdhëruan gjithashtu të paguanin 50,000 euro secili nga paratë që morën si rezultat i krimit, si dhe për shpenzimet gjyqësore.
Ata mund të ishin përballur me një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.
Prokurorët argumentuan se vëllezërit ishin paguar për vrasjen nga një biznesmen i njohur maltez që kishte lidhje me qeverinë. Mbi biznesmenin janë ngritur akuzuar dhe ai do të gjykohet veçmas.
Vëllezërit Degiorgio pranuan fajësinë për vrasje me dashje; shpërthimin që rezultoi në vdekjen e një personi; mbajtjen e paligjshme të eksplozivëve; komplot kriminal; nxitje, krijim, organizim ose financim i një organizate me qëllim kryerjen e veprave penale dhe pjesëmarrjen aktive në një komplot.
Në prag të gjyqit, vëllezërit Degiorgio i kishin mohuar akuzat. Një i dyshuar i tretë, Vincent Muscat, shmangu gjyqin pasi kishte pranuar fajësinë. Ai po vuan një dënim prej 15-vjetësh.
Por në fillimin e gjyqit të premten, Alfred Degiorgio u deklarua i pafajshëm, ndërsa vëllai i tij deklaroi se nuk kishte asgjë për të thënë, gjë që gjykata e interpretoi si një deklarim të pafajësisë.
Nuk është e qartë pse të pandehurit ndryshuan qëndrim.
Gjatë argumenteve hapëse të akuzës, prokurorët argumentuan se kishin prova që përfshinin telefona celularë që lidhnin të pandehurit me vendosjen e bombës.
Vëllezërit ishin përpjekur pa sukses të negocionin një falje në këmbim të dhënies së emrave të të dyshuarve kryesorë për organizimin e vrasjes, përfshirë një ish-ministër, identiteti i të cilit nuk është zbuluar.
Bomba ishte vendosur nën sediljen e shoferit dhe shpërthimi ishte aq i fuqishëm saqë copërat e makinës fluturuan mbi një mur dhe në një fushë.
Gazetarja investigative malteze, Caruana Galizia, 53 vjeç, kishte shkruar gjerësisht në faqen e saj të internetit “Running Commentary” për korrupsionin e dyshuar në qarqet politike dhe të biznesit në vendin ishull mesdhetar, një parajsë fiskale.
Ndër objektivat e investigimit të saj ishin persona të rrethit të brendshëm të kryeministrit të atëhershëm Joseph Muscat, të cilët ajo i akuzoi se kishin kompani guacka në parajsat fiskale të zbuluara nga rrjedhja e Panama Papers. Por ajo ka vënë në shënjestër edhe opozitën. Në momentin që u vra, ajo përballej me më shumë se 40 padi për shpifje.
Arrestimi i një biznesmeni të lartë me lidhje me zyrtarë të lartë të qeverisë dy vjet pas vrasjes shkaktoi një seri protestash masive në vend, duke e detyruar kryeministrin Muscat të jepte dorëheqjen.
Yorgen Fenech u arrestua në vitin 2019 dhe u padit në vitin 2021 për bashkëpunim të dyshuar në vrasje. Ai u akuzua gjithashtu për bashkëpunim për të kryer vrasje. Ai ka deklaruar pafajësinë për të gjitha akuzat.
Data për gjykimin e tij nuk është caktuar.
Taksistit Melvin Theuma, iu dha një falje presidenciale në vitin 2019 në këmbim të dëshmisë kundër Fenechit dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar. Jamie Vella dhe Robert Agius, janë akuzuar për dhënien e bombës, por gjyqi i tyre ende nuk ka filluar.
Në seancën e mëngjesit përpara pushimit të drekës, zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Philip Galea Farrugia i tha gjykatës se Theumas iu kërkua nga një person i paidentifikuar të gjente dikë që të vriste gazetaren Caruana Galizia. Sipas akuzave Theuma bisedoi me njërin prej vëllezërve Degiorgio dhe u negociua një pagesë prej 150,000 eurosh (146,500 dollarë), tha Galea Farrugia.
Galea Farrugia tha gjithashtu se fillimisht u fol për një armë zjarri për vrasjen, por më vonë u vendos të përdorej një bombë. Prokurorët thanë gjithashtu se një telefon celular – një nga tre që kishte George Degiorgio, kishte shkaktuar shpërthimin.
Një raport për një hetimit publik të vitit 2021 arriti në përfundimin se shteti maltez “duhet të mbajë përgjegjësi” për vrasjen e Caruana Galizias për shkak të kulturës së mosndëshkimit që buronte nga nivelet më të larta të qeverisë.
Komisionerja e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviç, ka dënuar “mungesën e rezultateve efektive në vendosjen e llogaridhënies pesë vjet më vonë.”
Në një letër drejtuar kryeministrit Abela, komisionerja shprehu nevojën për urgjencë në mbrojtjen e gazetarëve në Maltë dhe përmendi rastet e shpifjes që vazhdojnë ende ndaj të afërmve të Caruana-Galizias pas vdekjes së saj.