Tërmeti i fuqishëm që goditi vendin shkaktoi viktima të shumta dhe qindra të plagosur. Mes personave që humbën jetën ishin edhe dy vëllezërit Abazi nga Kosova.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë kryeministri Rama deklaroi se do të miratohen një sërë aktesh për t’iu ardhur në ndihmë familjeve që humbën të dashurit e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit por edhe ato që mbetën pa shtëpi.
“Qeveria do të akordojë nga 1 milion lekë të reja për familjet e dy vëllezërve Abazi nga Kosova që humbën jetën në Durrës për shkak të tërmetit”, tha Rama
“Projektvendimi që lidhet përsëri me përkrahjen sociale dhe financiar të familjeve të viktimave është projektvendimi që ka të bëjë me akordimin direkt të një përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të reja për çdo familje dhe patjetër për përballimin e shpenzimeve të varrimit. Secila prej familjeve të vëllezërve Abazi nga Kosova do të marrë të njëjtën përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të reja nga ky vendim i qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Besoj që jemi dakord”, deklaroi Rama.
Dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit Shemsedin Abazi, 32 vjeç dhe Isah Abazi, 29 vjeç humbën jetën pas shembjes së hotelit “Tropikal” në Durrës.