Aktualitet Tërmeti/ Në Tiranë 1192 banesa individuale të dëmtuara dhe 265 pallate që...

Tërmeti/ Në Tiranë 1192 banesa individuale të dëmtuara dhe 265 pallate që kërkojnë vlerësim

Në Tiranë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit kemi 1192 banesa individuale, të cilat kanë dëmtime serioze dhe 265 pallate që kërkojnë një vlerësim.

Kështu deklaroi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë Kryeministri Edi Rama.

“8 shkolla numërohen të dëmtuara, një qendër shëndetësore dhe në këtë drejtim të gjithë infrastrukturës publike, kopshte, shkolla, çerdhe po kryhet dhe do të përfundojë një analizë e plotë me shpejtësi maksimale të kushteve”, – tha Rama.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “kemi në listën e dëmeve të shkaktuara disa situata që janë më specifikisht problematike siç është situata te blloku i pallateve në urën e Dajlanit, në drejtim të Muzeut të Dëshmorëve në Durrës, tek rruga “Aleksandër Goga” në drejtim të Spitallës, tek lagjja 14 në Shkozet, tek lagjja 13 Plazh, Thumanë, Manëz, Bubq dhe Ishëm pa diskutim”.

“Problematikat me të cilat shtabet duhet të përqendrohen fort tani janë që të identifikohen dhe të regjistrohen pa asnjë përjashtim familjet e prekura nga dëmet e prekura nga tërmeti. Janë dy kategori familjesh që duhet të kërkojnë fuqi për të qenë mirëkuptues që nuk mund të jenë objekt i kësaj përpjekje, një kategori janë familjet që përpara tërmetit kanë rezultuar të pastrehë siç ka kudo njerëz dhe familje që kanë nevojë për strehim dhe që banojnë në shtëpi me qira. Shtëpi të cilat janë në rregull, nuk mund të kërkojnë të futen në listën e familjeve që do të trajtohen me strehim si pasojë e tërmetit”, – nënvizoi Rama.