Koronavirusi vijon të shkaktojë viktima në Shqipëri. Edhe këtë të mërkurë dy persona të infektuar me Covid-19 humbën jetën. Bëhet fjalë për dy paciente nga Tirana, të shtruara prej disa ditësh në spitalin Infektiv, por që nuk mundën t’i shpëtojnë dot sëmundjes. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ato kishin edhe disa sëmundje bashkëshoqëruese.
“Pacientet 58 dhe 59 vjeç nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, nuk mundën të mbijetojnë me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe terapinë e trajtimit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave”, tha Gentja Qirjako, e cila bëri përditësimin e të dhënave.
Në Spitalin Infektiv gjendja është serioze. Atje vijon të ketë shtrim të pacientëve, ndërsa është shtruar edhe numri i personave në intubim.
“Aktualisht janë të shtruar 83 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde”.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 397 persona të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 68 raste pozitive.
“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 8 në Kukës, nga 5 raste në Vlorë, Berat, nga 3 raste në Elbasan, Lezhë, Kavajë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Korçë dhe nga 1 rast në Divjake dhe Lushnje”.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 47 qytetarë, duke e çuar në 1791 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1232 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë bëri thirrje që të respektohen masat e vendosura.
“Situata serioze në spitalin infektiv ku ka dhe mosha të reja të shtruara, kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të ruajtur distancimin fizik, për të ruajtur higjienën personale, për të mbajtur maskën në ambiente të mbyllura, apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca fizike prej të paktën 1.5 metër. Bizneset duhet të marrin të gjitha masat për zbatimin e protokolleve të higjienës të miratuara nga autoritetet shëndetësore, për të ruajtur punonjësit dhe qytetarët”.