Nga rreziku i lamtumirës verën e kaluar te një rol gjithnjë e më i rëndësishëm për Juventusin. “Lënia e tij në stol është gjithmonë një blasfemi”, – thotë Maurizio Sarri. Këto janë fjalë që e bëjnë të qartë se si ka ndryshuar “fotografia” e argjentinasit në kampin bardhezi. Sepse qasja e klubit ndaj Paulo Dybala tani është krejtësisht e ndryshme nga disa muaj më parë. Madje, testet e rinovimit kanë filluar. Kontrata aktuale e Dybala me “Zonjën e Vjetër” skadon më 2022. Tashmë, sipas “Tuttosport”, është shfaqur një pikësynim i qartë: palët janë në punë për të zgjatur kontratën e bashkëpunimit edhe për tri vite të tjera, deri më 2025.
2022-shi është akoma dy vite e gjysmë larg, por Juventusi nuk dëshiron të gjendet i papërgatitur. Sa për Dybala, kërkesa e tij është e qartë: 10 milionë pagë neto për sezon. Kjo është shifra, që ia kishte garantuar Manchester United, në rast se operacioni veror me “Djajtë e Kuq” do të përfundonte me sukses, me “Joya” në “Old Trafford” dhe Lukaku në Torino. Paga aktuale e argjentinasit është 7 milionë euro në vit.
Palët do të fillojnë të flasin për të gjitha këto në javët e ardhshme. Sipas të gjitha gjasave, pas sfidës së dyfishtë të Champions-it kundër Lyon, më 17 mars. Së pari, Dybala duhet të “rinovojë” në fushë, që ndaj Veronës, kundër së cilës Juventusi do të përpiqet të fitojë e të mbrojë kreun e renditjes nga sulmet e Interit dhe Lazio…