Në “San Siro” ishte vendimtar me golin që zhbllokoi ndeshjen, pas disa minutash, duke dhënë një adresë të saktë për trajnerin bardhezi. Paulo Dybala po rifiton pozitat që kishte te Juventusi, pasi ishte afër lamtumirës në verë, kur dukej se duhej të largohej nga Torino me çdo kusht.
Drejtuesit bardhezinj duhet ta falënderojnë që ai luajti një rol të rëndësishëm në suksesin ndaj Interit. Argjentinasi foli pas fitores në derbin e së dielës mbrëma, duke dhënë mendimin personal mbi mundësinë e të luajturit në një “trident”, të përbërë prej tij, Ronaldo dhe Higuain.
Këto janë fjalët e raportuara nga “Tuttosport”: “Së pari duhet të punojmë mirë, sepse të tre jemi sulmues. Duhet të bëjmë atë që kërkon trajneri”. Dybala tani luan me më shumë besim dhe rezultatet pozitive janë në sytë e të gjithëve: “Unë jam shumë i qetë, po. Pas gjithë fjalëve që u thanë, e mësova veten që, çfarëdo që të ndodhte, të argëtohesha më shumë në fushë. Si ia arrita kësaj? Duke bërë gjërat që më pëlqejnë dhe duke demonstruar vlerat që kam si futbollist. Duhet ta bëja këtë, edhe pse nuk ishte e lehtë. Kam për qëllim t’i tregoj trajnerit atë që kam bërë në vitet e kaluara”.
Në fund, një vlerësim për Sarrin, për idenë e tij mbi futbollin. Trajneri aktual bardhezi është qartësisht më ofensiv se Allegri: “Ata janë trajnerë të ndryshëm për mënyrën se si luan ekipi i tyre dhe kjo shihet qartë. Me Allegrin kemi bërë kaq shumë gjëra të bukura, por unë mendoj se Sarri është pak më sulmues. Ne e shohim tashmë që Juventusi është më shumë ofensiv, në kërkim të futbollit të bukur dhe argëtues”.