Në një intervistë për “Financial Times”, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis shprehet se ai nuk do të pranojë kushtet e rrepta të BE për përdorimin e ndihmës emergjente ofruar për situatën e krijuar nga pandemia. Një deklaratë e tillë vjen në kohën kur ende mbeten të vështira negociatat mes drejtuesve të BE për fondin e propozuar të rimëkëmbjes prej 750 miliardë euro.
“Grekët janë maturuar. Dhe ne duam të bëjmë reformat tona. Një rishikim gjashtë mujor i performancës ekonomike të kryer nga Komisioni Evropian ishte i mjaftueshëm dhe nuk kishte nevojë për ndonjë “kushtëzim shtesë të rreptë”, theksoi Mitsotakis.
Gjatë intervistës ai shtoi se Greqia kishte një “agjendë reformuese agresive” që do të përqendrohej në “tranzicionin e gjelbër”, “tranzicionin digjital” dhe inkurajimet për investime pjesërisht përmes programit të privatizimit.
Pak ditë më parë ndërsa fliste në parlament, kryeministri grek njoftoi ndërmarrjen e masave të reja me vlerë 3.5 miliardë euro për të mbështetur bizneset e dëmtuara nga izolimi.
Në vitin 2018 Greqia doli nga një krizë dhjetëvjeçare financiare dhe po shpresonte për një rimëkëmbje më fortë në vitin 2020. Por, bllokimi mbarëkombëtar i imponuar në Mars për të parandaluar përhapjen e koronavirus ka kthyer çdo pritshmëri.