Në mesazhin e tij të fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu shqetësimin e tij për përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga ana e forcave ruse.
Një akuzë e përgjithshme, ajo e presidentit ukrainas, por me kalimin e orëve po dalin detaje që e konkretizojnë akuzën, duke i dhënë një koordinatë të qartë, atë të qytetit Mariupol.
Qyteti-port, fushëbetejë i një nga përballjeve më të ashpra midis palëve, dyshohet se mund të ketë qenë skenari i një sulmi më lëndë kimike, ndoshta i kufizuar, por që mund të shënojë hyrjen në një dimension tjetër të konfliktit.
Lajmi merr dimension edhe më tragjik pas konfirmimit nga ana e kryebashkiakut të Mariupol, Vadym Boychenko, që rreth 10 mijë civilë mund të qenë vdekur aty gjatë muajit të parë të konfliktit.
Përdorimi i armëve kimik edhe bakteriologjike shihet nga komuniteti ndërkombëtar si një linjë e kuqe, tejkalimi i se cilës mund të sjellë një reagim edhe më të fortë nga NATO, edhe pse Shtetet e Bashkuara ende nuk e kanë përcaktuar diçka të tillë.
Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey deklaroi se Londra po punon për të konfirmuar faktin se Rusia ka përdorur armë kimike në Ukrainë.
Heappey tha për BBC, se ka disa raporte të cilat pretendojnë se armët kimike janë përdorur në qytetin jugor të Mariupolit, por as inteligjenca britanike e mbrojtjes dhe homologët e tyre në Kiev, nuk kanë qenë në gjendje që t’i vërtetojnë.
Sipas ministrit, nëse do të gjenden prova të tilla, të gjitha opsionet do të jenë të mundshme sa i takon përgjigjes ndërkombëtare ndaj Rusisë.
“Presidenti Putin duhet të kuptojë që Perëndimi do të përgjigjet, në rast përdorimi të armëve kimike. Të gjitha opsionet janë në tryezë”, duke nënkuptuar një zhvillim të mundshëm të konfliktit në dimensione që mund të tejkalojnë edhe vetë Ukrainën.