Gjatë kësaj fundjave angazhimi në kohë rekord i zyrës kryeministrore dhe emergjencave sociale në Greqi ka bërë që t’i shpëtohet jeta një emigranteje nga Puka që jeton në Mikonos i cili është i njohur edhe si ishulli i pasanikëve.
Jeta e emigrantes shqiptare nga Puka, 19-vjeçares Adelina Gjeloshi, e cila kishte pësuar një përkeqësim të papritur të shëndetit të saj sipas të afërmve ishte në ‘fije të perit’.
Që jeta e emigrantes shtatzanë 7-muajshme të mos rrezikohej ajo duhej transportuar me urgjencë në një nga spitalet më të mira të Greqisë, por mbizotërimi i motit të keq nuk lejonte fluturimin e helikopterëve dhe transportin e saj për në klinikat e specializuara. Por sapo Zyra e kryeministrit të Greqisë është njohur me rastin në fjalë nga kryebashkiaku i Mikonos ai ka urdhëruar që të vihej në dispozicion për të transportuar emigranten shqiptare avionin qeveritar në një kohë mjaft të shkurtër.
Avioni qeveritar sikurse kishte urdhëruar kryeministri Mitsotakis ka shkuar dhe ka mundur të transportojë drejt spitalit emigranten shqiptare nga Puka për në spitalin “Aleksandra” në Athinë.
Falë solidaritetit të treguar dhe ndërhyrjes së specializuar në klinikën e Spitalit të Athinës, emigrantja shqiptare nga Puka e ka kaluar rrezikun. Të afërmit e saj dhe komuniteti shqiptar që jeton e punon në Mikonos i kanë shprehur mirënjohje për këtë gjest kryebashkiakut të ishullit grek si dhe kryeministrit Mitsotakis.