Surprizën e madhe në këtë fillim Botërori e bën Arabia Saudite. Përfaqësuesja nga Lindjen Mesme mposhti me përmbysje 1-2 Argjentinë në “Lusail Iconic Stadium”, duke i dhënë një goditje të madhe Lionel Messit me shokë, të cilëve nuk do t’u falet asnjë gabim në dy ndeshjet e mbetura kundër Poloninë dhe Meksikën.
Argjentina humbi një përballje që duhej ta fitonte, pse jo me diferencë golash, teksa vetëm gjatë pjesës së parë iu anuluan tre gola për pozicion jashtë loje.
E zhbllokoi takimin Lionel Messi me një 11-metërsh të akorduar nga sistemi VAR, por dominimi i Argjentinës nuk u reflektua me gola të tjerë edhe për çështje fati.
Por fatin, nëse nuk e shfrytëzon, mund të të kthehet kundër. Sapo nisi pjesa e dytë, Arabia Saudite shënoi golin e barazimit me Al Sherhin. Por, perla erdhi 5 minuta më vonë, me Al Dawsarin që me të djathtën shënoi një gol fantastik, të ngjashëm me ato që jemi mësuar t’i bëjë Messi.
Edhe pse pati kohën e mjaftueshme për të kthyer rezultatit, Argjentina dështoi të shënonte qoftë golin e barazimit, duke marrë një goditje të rëndë që në start.