Politika Alibeaj, kërkesë qeverisë: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Shkodër, Lezhë dhe...

Alibeaj, kërkesë qeverisë: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Shkodër, Lezhë dhe Durrës

Deputeti Enkelejd Alibeaj i kërkon qeverisë që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Shkodër, Lezhë dhe Durrës për shkak të situatës së motit.

Në një deklaratë për mediat u shpreh ajo që e bën më të rëndë situatën është dëmtimi i shëndetit dhe jetës së qytetarëve, ku përmendi dhe humbjen e jetës së babë e bir në  Malësinë e Madhe mesditën e së dielës.

“Situata e reshjeve të ditëve të fundit ka shkaktuar problematika të rënda në zona të ndryshme të qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Si pasojë e përmbytjeve janë dëmtuar arat me të mbjella, bagëtitë, shtëpitë e qytetarëve, pasuri të trashëgimisë kulturore, si rasti i Urës së Bahcallëkut në Shkodër.

Por, ajo që e bën më të rëndë situatën është dëmtimi i shëndetit dhe jetës së qytetarëve, siç ishte rasti i tragjik i humbjes së jetës së dy qytetarëve, babë e bir, në Malësinë e Madhe. Nisur nga ky bilanc tragjik për shëndetin, jetën, pronat dhe pasuritë e qytetarëve të këtyre zonave, ne vlerësojmë se përmbushen kriteret kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore“, thotë ai.

Enkelejd Alibeaj: Nisur nga ky bilanc tragjik për pasurinë e qyteteve të këtyre zonave, kemi kërkuar dhe kemi vlerësuar se përmbushen kriteret kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e fatkeqësisë natyrore. Neni 174 i kushtetutës përcakton se për mënjanimin e një katastrofe natyrore, Këshilli i Ministrave mund të vendosë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë apo në të gjithë territorin.

Rezulton se kemi të bëjmë me një situatë të krijuar nga vërshimet e ujit. Kërkesa jonë, e kolegëve deputetë i drejtohet kryeministrit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Është një kërkesë e bazuar në kushtetutë dhe legjislacion. Jo vetëm forcat politike, por edhe të tjerë ngrejnë alarmin për të vendosur shtetin në një situatë gatishmërie për të parandaluar gjendjen e fatkeqësisë.

Ne kërkojmë diçka që është ligjore dhe kushtetuese, të kalojmë nga një situatë e debatit politik në një nivel tjetër që është situata ligjore. Është koha që shteti të marrë masat për të ju qenë afër njerëzve në këtë situatë të kësaj fatkeqësie natyrore. Kompensimi financiar që do të duhet të ju jepet qytetarëve të goditur nga fatkeqësia natyror, shteti duhet t’i kompensojë.

Qeveria duhet të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Kjo është kërkesa që deputetët e PD i dorëzojnë kryeministrit. Qeveria mundësisht sot të mblidhet dhe të diskutojë për vendosjen e fatkeqësisë natyrore.