Pas deklaratës se është zgjedhur nga një Parlament legjitim dhe jo nga Parlamenti aktual, Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një shkresë kryetarit të KQZ-së Klement Zguri, ku i kërkon informacion për numrin e deputetëve që janë aktualisht në Parlament.
“Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi? Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe listën emërore të deputetëve aktualë në shkallë vendi”, thuhet në letrën e Presidentit Meta dërguar kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Sot Presidenti Ilir Meta deklaroi se Presidenti i përket Republikës, dhe Republika qytetarëve. Zgjedhjen e tij në krye të institucionit të Presidencës e konsideroi se është kryer nga një Parlament legjitim dy vite më parë, duke e konsideruar kështu ilegjitim Parlamentin aktual.
Para një jave, kreu i shtetit anuloi datën e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit për shkak të krizës politike në vend.