Bota E cilësoi si histeri, pastori amerikan vdes nga koronavirusi

E cilësoi si histeri, pastori amerikan vdes nga koronavirusi

Pastori Landon Spradlin, i cili tha se koronavirusi ishte histeri dhe shkoi në New Orleans për të predikuar gjatë Mardi Gras, një festival popullor me tipare karnavalesh , vdiq një muaj më vonë pikërisht nga infeksioni COVID-19.

Gruaja, katër vajzat dhe djali i pastorit të ndjerë thonë se shpresojnë të zhvillojnë një ceremoni madhështore për nder të tij. Kjo në një kohë tjetër, pasi në kushtet e tanishme mund të bënin vetëm një funeral, i cili kishte vetëm katër ose pesë vetë, përfshirë një kitarist bluzi që luajti në varreza.

Pak më shumë se një muaj më parë, pastori Spradlin, 66 vjeç, udhëtoi me gruan e tij Jean nga shtëpia e tyre në Virxhinia drejt Mardi Gras, raporton BBC. Ai tha se kishte për qëllim të shpëtojë shpirtrat e disa prej qindra mijërave që marrin pjesë në festival.

Ai u bashkua nga dy vajzat e tij që erdhën nga Teksasi.

“Misioni i tij ishte të shkonte te klubet dhe baret, të luante bluz dhe të lidhej me muzikantë për t’u thënë atyre që Jezusi i do ata”, thotë 28-vjeçari Jesse Spradlin.

Por në Mardi Gras, në Neë Orleans, në sheshin “Jackson”, dyshohet që pastori ta ketë marrë virusin, për të cilin familja e tij thotë se nuk ishin në dijeni të kërcënimit të ngjitjes.

“As nuk mbaj mend të flisnim për virusin”, thotë Naomi Spradlin, 26 vjeç.

Pastor Spradlin ishte një nga ata që u sëmur, por testi tregoi se ai ishte negativ në COVID-19. Ndërsa ishte i sëmurë, ai postoi në mediat sociale se virusi ishte histerik: Më 13 mars, ai ndau lajme të rreme duke krahasuar vdekjet nga gripi i derrit me ato nga koronavirusi.

Ai pohoi se bëhej fjalë për një komplot të motivuar politikisht me qëllimin për të dëmtuar Presidentin Trump. Djali i pastorit mendon se babai i tij ishte ndikuar nga viti i zgjedhjeve.

“Unë dua të them sinqerisht: babi nuk mendoi se ishte një shaka, ai e dinte se ishte një virus i vërtetë”, thotë Landon Isaac. “Ai e bëri njoftimin në Facebook sepse ishte i irrituar që media po përhapte frikën si mjetin kryesor të komunikimit”, shtoi djali i pastorit.

Sidoqoftë, në mes të marsit, shëndeti i pastorit Spradlin papritmas u përkeqësua.

“Unë fola me të pesë minuta para se të rrëzohej”, thotë Landon Isaac. Ai shtoi se frymëmarrja e babait të tij po përkeqësohej.

Pastor Spradlin u transportua në një spital në Karolinën e Veriut, ku u zbulua se kishte pneumoni të rëndë në të dy mushkëri dhe një test i ri tregoi se ai ishte pozitiv me koronavirusi. Pas tetë ditësh në kujdes intensiv, pastori vdiq.