Ka shkuar në tre numri i personave të arrestuar për vrasjen e Hekuran Billës. Pas arrestimit të Viktor Markut dhe nipit të tij, Sebastjan Mali, blutë e kryeqytetit kanë prangosur orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje 26-vjeçaren Adjola Lakra.
Sipas Vizion Plus, e reja dyshohet se ka bashkëpunuar me dy autorët e dyshuar në ekzekutimin e Hekuran Billës. Nga hetimet ka rezultuar se Lakra ka qenë në një lidhje prej më shumë se dy vitesh me Billën.
Gjithashtu dyshimet e policisë tregojnë se 26-vjeçarja e udhëzuar nga Viktor Marku dhe Sebastian Mali ka nxjerrë në pritë të dashurin e saj.
Sipas hetimeve, mësohet se ajo e ka telefonuar Billën dhe i ka kërkuar një takim në zonën e Komunës së Parisit, pranë shtëpisë së motrës së tij, aty ku edhe ku ndodhi vrasja.
Telefonata është zbuluar nga tabulatet telefonike, dhe që prej ditës së vrasjes ajo është mbajtur nën vëzhgim nga Policia për t’u arrestuar këtë të premte, në bashkëpunim me “blutë” e Beratit.
E paqartë është lidhja mes Lakrës dhe dy autorëve të dyshuar dajë e nip.
Hekuran Billa u ekzekutua mbrëmjen e 11 qershorit në zonën e Komunës së Parisit.
Shkak për vrasjen e tij dyshohet se ka qenë hakmarrja. Kjo pasi në vitin 2006, Billa ekzekutoi në Britani Prel Markun, vëllain e Viktor Markut.