Bota Hashim Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Hashim Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka folur për mediat pas publikimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ditën e djeshme, Thaçi vendosi në faqen e tij zyrtare në Facebook një foto të emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë të premte, Presidenti i Kosovës ka shtuar një fjali mbi atë foto, duke bërë në këtë mënyrë reagimin e parë që prej të mërkurës.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, shkruan Thaçi, ndërkohë që shkrimin e shoqëron edhe në gjuhën angleze.

Të mërkurën, Zyra e Prokurorit Special në Kosovë njoftoi se ka ngritur akuza ndaj Presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Të dy ata, së bashku me persona të tjerë dyshohet se kanë kryer vrase të paligjshme, zhdukje të detyruar personash, përndjekje dhe tortura.