Në shtëpinë e Blerta Pepës janë hapur dyert e mortit ndërsa vaji e lotët nuk kanë pushuar nga çasti që 16-vjeçarja humbi jetën në sallën e operacionit në spitalin privat ‘Continental’.
Britmat e vajtimit dëgjohen në mbarë lagjen, ndërsa nxënës të shkollës ‘Çajupi’ kanë pushtuar banesën e shoqes së tyre që nuk jeton më.
Për Report Tv, Bardhyl Pepa, babai i vajzës nuk ngurron të rrëfejë momentet më të rënda të jetës së tij, sesi vajza, ‘jeta ime’ siç e quan ai, i iku për shkak të një operacioni të thjeshtë në gju të planifikuar në një spital privat .
Babai i Blertës ka një apel për shtetin, “të verë duart në këto klinika që hapen dhe reklamojnë emrin me të madhe”.
Biseda e gazetares së Report Tv me babain e Blerta Pepës, Bardhyl Pepa
Blerta, vajza juaj u shua papritur…
Dhimbja është shumë e madhe, më iku një jetë, më iku ‘jeta ime’, vajza ime për arsye të mjekësisë që kemi sot. Në këtë situatë, vajzës i ndodhi një pakujdesi shumë e rëndë nga spitali ‘Continental’, që ka marrë një emër të madh dhe në këtë gjë që ka bërë ky spital, më mori jetën e vajzës.
Për një arsye të kotë, për një ligament që m’u vra vajza, një menisk i dëmtuar më iku jeta e vajzës. Mospakujdesia e mjekëve, të anestezistëve, shkaku që morëm vesh është se i kanë futur dozë të tepërt të fortë. Dhe vajzën unë e kam dërguar me duart e mia tek ata, u kam thënë që vajza është alergjike, që ia bëjnë ndërhyjen apo jo dhe ata më thanë që mund të bëhet operim.
Si i justifikuan ata pjesën e vonesës në operim?
Ata thanë që nuk ka vend në sallë, është futur një tjetër dhe të merrte vajzën vajza u fut në sallë në orën 7 e gjysëm, pas kësaj vajti 3 orë operim. Mjeku kirurg ishte i huaj foli me kunatin se fliste anglisht, çdo gjë shkoi ‘Ok’, operacioni shkoi në rregull, dhe Menisku nuk është aq i ndërlikuar sa e tregon rezonanca.
Po mjeku çfarë bëri?
Ai iku pastaj, dhe pastaj shohim lëvizje të mjekëve që vraponin dhe doli një infermiere dhe e pyes, ka gjë vajza ime. Jo more tha, është një tjetër jo vajza jote. Aty kam shkuar tek dera e operacionit e shklyeva derën dhe shoh vajzën që po i bënin pompim në gjoks aty më ka rënë të fikët, për momentin nuk jam përmendur fare, më morën mjekët dhe në kohën që rashë qetësi, dhe si përfundim në orën 1 të natës dalin mjekët dhe kërkojnë kunatin dhe ai hyn dhe i japin lajmin e fundit për vajzën time.
Keni një apel pas kësaj?
Dua që drejtësia të vejë në vend për këtë jetë që ma morën. Shteti të verë duart në këto klinika që janë hapur, dhe të merren masa për atë njeri që më mori jetën e vajzës.
Blerta ishte këngëtare…
Vajza ime ka qenë artiste, aktivizohej në aktivitete shkollës, por nuk e di sesi ndodhi kjo, jam shumë i indinjuar.
Pse zgjodhët spitalin “Continental’, nuk bëtë kosnluta me mjekë të tjerë?
Po bëra. Mjekët thanë nuk mund të operohet tani, duhet të kalojë një periudhë 2 apo 3 mujore. Menduam që kjo klinikë ishte përparuar, e morën me 100% të garantuar dhe na thanë se është operacioni garantuar pa probleme, por doli e kundërta (shpërthen në të qara)