Duhej të ishte java e Ferrarit, që në pistën e Bahreinit e nisi garën me dy makinat e saj në krye, por fati i keq me Leclerc dhe një gabim i Vettel, bëri që skuadra italiane të kënaqej vetëm me një vend të dytë të pilotit monegask.
Charles Leclerc u nis i pari në pistën e Bahreinit, por u parakaluar menjëherë nga shoku i skuadrës, Vettel, por me kalimin e xhirove, piloti francez i Ferrarit rikuperoi pozitat e tij dhe po udhëhiqte i qetë, i shkëputur nga ndjekësit.
Fillimisht ishte Vettel, që gaboi tërësisht në një moment kur po sulmohej nga Hamilton dhe dëmtoi makinën, duke u detyruar të bëjë një “Pit Stop” të tretë të detyrueshëm, që nuk e lejoi të shkojë më shumë se vendi i pestë në fund të garës.
Më pas, befasia ndodhi me Leclerc, që kishte një distancë prej rreth 10 sekondash me Hamilton në vendin e dytë, por një problem në motor, bëri që t’i binin ndjeshëm xhirot e makinës dhe kur kishte edhe 12 xhiro nga fundi, u parakalua nga britaniku i Mercedes.
Vetëm pak xhiro më mbrapa, ishte edhe piloti tjetër i Mercedes, Valteri Bottas që parakaloi, duke u renditur i dyti, ndërsa vetëm ndërhyrja e makinës së sigurisë, bëri që Leclerc t’i shpëtonte parakalimit nga Verstappen dhe të arrinte të ngjitej në podium.
Gara e Bahreinit konfirmoi problemet për Ferrarin, që në dy gara ka siguruar vetëm një podium, ndërsa Sebastian Vettel, përveçse me Hamilton, tashmë do të duhet të bëjë llogaritë edhe me shokun e skuadrës, Charles Leclerc, që po tregon një agresivitet të jashtëzakonshëm.