Parlamenti Europian aprovoi rregulla të reja mbi të drejtën e autorit, të cilat sipas kritikëve do të ndryshojnë natyrën e rrjetit. Si pjesë e këtyre rregullave kompanitë teknologjike do të mbajnë përgjegjësi për materialet e postuara online pa lejen e autorit.
Shumë muzikantë apo krijues, të cilët tani do të negociojnë drejtpërdrejtë me gjigandët e webit, mendojnë se rregullorja e re do të kompensojë në mënyrë të drejtë artistët. Por të tjerë e shohin këtë si një iniciativë të dëmshme për materialet e gjeneruara nga përdoruesit.
Direktiva për të drejtat e autorit u mbështet nga 348 parlamentarë, ndërsa 278 votuan kundër. YouTube, Facebook dhe Google News janë disa nga platformat më të prekura nga legjislacioni i ri.
Këto të fundit, bëhen përgjegjëse të drejtpërdrejta të materialeve të postuara në sitet e tyre.