Kryeministri Edi Rama këtë ditë Krishtlindjesh ka zgjedhur që ta kalojë duke drekuar me një familje në Gjorm të Laçit, së cilës i shkatërruar banesa nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në një video “Live” në Facebook, Rama shfaqet së bashku me ish-ministren Lindita Nikolla duke drekuar në ambientet e jashtme të banesës së kësaj familjeje, teksa u ka premtuar se shumë shpejt do rindërtohet edhe më e mirë nga sa ishte.
“Deri në 2021 them se do t’i mbyllim të gjitha”.
Ndërsa drekonin, kryefamiljari i ka treguar kryeministrit sesi vajza i mbeti pa shkollë, ndërsa tha se e ka lënë ai, pasi e ka fejuar që 15 vjeçe, sapo kishte përfunduar klasën e 9.
Ai tha se i ishin futur njerëz me shkuesi të cilët, siç tha ai, në një fare forme ia morën me zor dhe u detyrua ta fejojë, por për fat të keq prej tre vitesh dhëndri ka përfunduar në burg, në Itali.
Babai i vajzës: Kësaj ia kam humbur shkollën unë, se e fejova 15 vjeçe, me shkues, traditat tona. Mbaroi klasën e 9-të dhe…
Edi Rama: Nuk e leje dot që të bënte vetë…
Babai i vajzës: Më hynë me zor, ma morën gati si me zor. Jo se u lidh kjo, me shkues…
Lindita Nikolla: Po janë tradita të kaluara këto…
Edi Rama: Po ç’të kaluara, ja…
Babai i vajzës: Tani ka rënë në burg, ka tre vite në Itali.
Edi Rama: I paske gjet tamam… hajde jeta kështu e ka, mos u mërzit.