Wuhan në Kinë është qyteti ku shpërtheu koronavirusi që deri më tani ka shkaktuar 427 të vdekur dhe mbi 20 mijë të infektuar në të gjithë botën. Rrugët e këtij qyteti që konsiderohet si epiqendra e virusit, janë të zbrazëta. Autoritetet kineze u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë nëpër banesa, të kufizojnë daljet, e në raste të tilla, të përdorin maska mbrojtëse.
Wenjun Wang është një 33-vjeçare banore e qytetit Wuhan. Në një intervistë për BBC, ajo ka treguar se e gjithë familja e saj është infektuar nga koronavirusi.
“Që kur shpërtheu koronavirusi, xhaxhai im ka vdekur, babai im është i sëmurë në gjendje kritike, kurse mamaja dhe halla kanë shfaqur simptomat e para. Mushkëritë e tyre janë të infektuara. Edhe vëllai im ka vështirësi në frymëmarrje. Babai ka ethe dhe temperaturë të lartë 39.3 gradë Celsius. Kollitet vazhdimisht ka vështirësi në frymëmarrje. Për momentin po përdor ilaçe. Nuk është shtruar në spital sepse rasti i tij nuk është verifikuar ende. Në Wuhan ka disa karantina ku po qëndrojnë pacientët me simptoma të lehta. Por për njerëzit që janë të sëmurë kritikë si babai im, për ta nuk ka shtretër. Xhaxhai im vdiq në një nga këto karantina, sepse nuk ka pajisje mjekësore për pacientët me simptoma të rënda. Shpresoj që babi im të marrë trajtimin e duhur, por askush nuk po na ndihmon për momentin”.
33-vjeçarja shprehet se numri i të infektuarve është shumë i lartë. Ajo thotë se më mirë preferon që të vdesë në shtëpi nëse infektohet, se sa në karantinë.
“Spitalet e reja që po ndërtohen janë për njerëzit që tashmë janë të shtruar në spitale të tjera. Ata do të transferohen tek të reja. Por për njerëzit si ne nuk mund të bëhet asgjë. Nëse ndjekim udhëzimet e qeverisë, i vetmi vend ku mund të shkojmë, janë karantinat. Por nëse do të shkojmë atje, babit tim do t’i ndodhë e njëjta gjë që ndodhi me xhaxhain. Kështu që do të preferonim të vdisnim në shtëpi”.
Vetëm dy raste të viktimave janë shënuar jashtë Kinës, ndërsa pjesa tjetër e personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi, janë regjistruar në Kinë. Ndërsa të infektuarit janë në disa vende të botës. Por, i lartë është edhe numri i personave të shpëtuar të cilët kanë qenë të prekur nga virusi i rrezikshëm kinez.