Nga Viktor Malaj
Pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017 vëmendja e opinionit publik shqiptar është përqendruar tek PD-ja dhe zhvillimet brenda saj. Në përgjithësi, në reagimet, deklarimet dhe shkrimet opinionformuese bien në sy dy tendenca: E para, dëshira dhe marrëzia e humbësve me avokatët e tyre mediatikë në krah për të zhvlerësuar procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij me pretekstin e “blerjes” së votave nga fituesit dhe, e dyta, dëshira dhe përpjekjet e kundërshtarëve politikë të Bashës për t’ia faturuar atij të gjitha mëkatet për katandisjen e PD-së në nivele të mjerueshme, por të merituara nga mospërkrahja popullore.
Përpjekjet e humbësve, por edhe të atyre fituesve që s’iu mundësua ulja në banketet e ardhshëm qeverisës, për shkak të qëndrimeve dhe sjelljeve të tyre në banketet e mëparshëm politikë, për ta paraqitur procesin zgjedhor si të blerë dhe si të zhvilluar në klimë shantazhi e terrori janë përpjekje të dëshpëruarish dhe njëherësh dëshmi e qartë e konstitucionit të tyre të kalbur moral. Në këto sjellje të tyre lexohet qartë papërgjegjshmëria e skajshme qytetare dhe politike. Konkluzionet dhe propaganda që vazhdojnë të bëjnë, bie në kundërshtim të hapur jo vetëm me të vërtetën, por edhe me opinionin sundues të brendshëm dhe atë ndërkombëtar rreth procesit zgjedhor.
Ky proces zgjedhor nuk ka qenë afër përsosmërisë, jo vetëm pse procese zgjedhore të përsosur nuk ka askund në botë, por edhe sepse është e pamundur që një sëmundje endemike 25- vjeçare e karakterizuar nga shformime pjesore e deri tërësore të proceseve zgjedhore, të shoqëruar me votimet patriarkale familjare dhe ofertat financiare e materiale në këmbim të votave të shërohet brenda një kohe të shkurtër dhe me një proces të vetëm votimi. Shformimet dhe të metat e këtij procesi zgjedhor nuk kanë qenë asfare përcaktuese të renditjes në tabelën e klasifikimit politik. Nëse lëmë mënjanë hipokrizinë dhe përpjekjet donkishoteske të politikanëve shqiptarë për t’i shpallur partitë e tyre si fituese të garës pa filluar ende gara, tani që gara ka përfunduar duhet t’i themi gjërat troç. E vërteta është se askush nuk ka qenë në gjendje të dinte përqindjet e votave dhe numrin e deputetëve të partive politike, por të gjithë politikanët dhe shumica dërmuese e popullit shqiptar e ka ditur se renditja e partive politike në këto zgjedhje do të ishte ashtu siç i shohim sot. Fryma dhe prirja e përgjithshme popullore, si përpara të gjitha proceseve zgjedhore, ka qenë e njohur.
Të dalësh sot e të thuash se pati “blerje masive të votave” pa qenë në gjendje të dëshmosh me fakte; të pretendosh se votimet u blenë edhe pasi t’u dha mundësia për “qeveri tekniko- besimi” ku përfaqësuesit e tu u vunë në krye të institucioneve kryesore që propagandoheshin si të përfshira në shtrembërimin e vullnetit të lirë të qytetarëve, duke përfshirë edhe KQZ-në; të kesh shtuar numrin e votave me 25% (LSI) krahasuar me zgjedhjet paraardhëse dhe të ankohesh se të janë vjedhur apo blerë votat; të deklarosh një javë përpara zgjedhjeve se “Republika e Vjetër dhe mafia e kanabisit u asgjësuan” (Lulzim Basha) dhe tri ditë pas zgjedhjeve të shpallësh blerjen e votave nga paratë e drogës dhe “Republika e Vjetër”; të thuash sot se “ne e dinim se nuk do të fitonim” (disa kundërshtarë të Bashës brenda PD-së) dhe pas pak minutash të akuzosh kundërshtarin për blerje votash; të flasësh për dhunë dhe terror zgjedhor kur të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë të faktit se kjo ka qenë fushata zgjedhore më e paqtë dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së (Federika Mogerini dhe Johanes Han) deklaruan se “Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë në 25 qershor u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt… konkurrentët zgjedhor bënë fushatë lirisht…”, po dëshmon se nuk ke respekt për të vërtetën, nuk ke respekt për veten, as për popullin dhe se e ke zero ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare pasi e di shumë mirë se duke përdhosur dhe zhvlerësuar këtë proces zgjedhor po përpiqesh t’i vësh gurë nën rrota rendjes së vendit drejt pranimit në BE.
Për të gjitha mendjet e ftohta dhe njerëzit që e duan të vërtetën, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve është shprehje e bindjeve dhe vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. As “votimet familjare” që janë shfaqje të mentalitetit fisnor të një pjese të vogël të shqiptarëve, as shtrembërimet e aty-këtushme të votës si rezultat i premtimeve financiare apo materiale nuk mendoj se kanë ndikuar dukshëm në përqindjet e votave të subjekteve politike. Nuk na lejojnë të mendojmë siç mëtohet as sondazhet e bërë nga institucionet ndërkombëtare qysh një muaj përpara zgjedhjeve. Ato paralajmëruan pikërisht rezultatin që kemi sot. Po të donte të përdorte paratë dhe falsifikimet partia në pushtet nuk do të kishte lejuar t’i ikte pushteti lokal në Kavajë për 28 vota.
Në Partinë Demokratike vihet re se fajin për humbjen e zgjedhjeve ia lënë vetëm Bashës ose Bashës dhe shumicës në pushtet që “i bleu” votat. Në një mendje me këta të fundit është edhe Basha, por duke përjashtuar veten, e lë përgjegjësinë në prehërin e shumicës që “i bleu votat”. Kështu u tha drejtuesve të lartë të OSBE-ODHIR. Asnjë individ politik i kësaj partie apo qoftë edhe ndonjë analist “djathtist” nuk ka guximin moral dhe kthjelltësinë intelektuale të pohojë të vërtetën rreth shkaqeve që sollën këtë rezultat për PD-në. E vërteta është se nuk humbën thjesht PD-ja dhe Lulzim Basha, por kjo ka qenë humbja e shumëhershme e berishizmit si ideologji, moral dhe sjellje politike. Berishizmi ka humbur vetëm katër muaj pas fitores së pushtetit në mars 1992 dhe, pavarësisht ndodhive në kampin e majtë politik në 2004, nuk ka arritur asnjëherë të bëhet motiv, moral apo shpresë mbisunduese tek shqiptarët. Berishizmi si perversitet politik ka humbur, përveç disa zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale, edhe dy referendumet për Kushtetutën e Shqipërisë.
Berishizmi ka humbur dhe do të vazhdojë të humbasë jo vetëm pse përfaqëson një perversitet moralo-politik, por edhe sepse nuk ka kurrfarë dëshire dhe aftësish për t’u vetëndrequr, për të nxjerrë mësime nga e shkuara e tij. Sipas psikologjisë dhe moralit berishist PD-ja është një parti heroike e madhështore e cila ka përmbysur komunizmin (megjithëse u krijua nga komunistët dhe nuk u krijua për vetëpërmbysje, por se komunizmi u vetëtërhoq- kujtojmë këtu takimin e Ramiz Alisë me studentët protestues kur iu rekomandon atyre që të mos krijojnë Lidhjen e Intelektualëve të Rinj, siç kërkonin, por “për të mirën e atdheut dhe të demokracisë duhet të krijoni një parti politike”). Sipas berishizmit, PD-ja ka sjellë “lirinë”, liberalizimin e vizave dhe pranimin në NATO (Çfarë është kjo? – do të pyeste një maqellaras, dukagjinas apo kurveleshas), ka bërë ndonjë gabim “të vogël” por, gjithsesi, ajo e meriton të jetë përherë në pushtet.
Mirëpo, shumica e popullit shqiptar as ka pasur dhe as e ka këtë mendim. PD-ja arriti të kthehet në pushtet në 2005, kryesisht për shkak të degradimit të së majtës dhe sepse u shfaq me makijazhe politike mashtruese dhe joshëse duke sjellë disa figura të reja të panjohura më parë. Kur populli e pa se ajo ishte “nusja” e mëparshme, me po ato huqe dhe vese, e përbuzi dhe i ktheu shpinën. Njëri nga shkaqet kryesorë të humbjes së PD-së është mosdëshira dhe paaftësia e saj për të analizuar dhe pranuar gabimet, fajet dhe krimet që ka kryer gjatë qeverisjeve sunduese nën drejtimin e Sali Berishës. Për humbjen e saj në 2013 ata fajsuan popullin që u tregua “mosmirënjohës” për të mirat që i kishin sjellë regjimet berishiste dhe, nga ana tjetër, “pranuan” se disa figura dytësore të regjimit kishin gabuar sepse nuk ishin lidhur sa duhet me popullin. Për ta bërë popullin t’i hidhet në qafë përsëri, Berisha njoftoi një dorëheqje formale dhe vendosi në krye të partisë një përçues të moralit të tij që e kishte përdorur për zhdukjen e 230 milion eurove, për dhurimin e mbi 200 km2 det Greqisë fqinje etj. Me një fjalë, ata ndërruan pjatën, por ruajtën menynë e vjetër politike me shpresë se shumica e popullit do të ulej në banketin e tyre politik. Fatmirësisht shumica e popullit nuk u josh nga pjata pasi ishte e vetëdijshme se kuzhinieri ishte ai që gatuante gjithçka qysh nga viti 1990.
Në këtë kuptim, humbja aktuale e PD-së ka qenë e paralajmëruar qysh në 2013. Berishizmi është i diskredituar brenda vendit, por edhe në kancelaritë perëndimore. E keqja është se shkalla e diskreditimit nuk është ende aq e lartë sa e meriton. Për krerët drejtues politikë dhe ata analistë që para dhe pas zgjedhjeve dëshironin kthimin e PD-së në pushtet shtrohen pyetjet: Për çfarë shkaqesh dhe motivesh duhej pritur që shumica e shqiptarëve të kthehej tek berishizmi ? A nuk ishin dhe janë ende si figura drejtuese të opozitës po ata individë që populli i përbuzi në 2013? Çfarë ndryshimesh pozitive ka pësuar filozofia, morali dhe sjellja politike e opozitës këto katër vjet në mënyrë që të ngjallë besim dhe shpresë? Gjithë opozitarizmi i kësaj partie, siç është në traditën e saj, përmblidhej në ekstazën e marrëzishme të Berishës që shpalosej në Parlament çdo të enjte, në “denoncimet” e tij të përditshme nëpërmjet “qytetarit dixhital” që e kanë shndërruar denoncuesin në objekt talljeje popullore sikur të ishte ndonjë plak llafazan e i lajthitur katundi, si dhe në fjalorin e mbushur me terminologji kriminale të 5-6 figurave të diskredituara të asaj partie. Prandaj shumicën e shqiptarëve nuk i frymëzon dhe as iu ngjall shpresë “ndërtesa” e vjetër PD, ani pse, herë pas here, e lyejnë me bojë. Nuk mund të ngjallësh besim kur flet për korrupsion dhe krim qeveritar ndërsa vetë ke shmangur me marifete procedurale gjykimin për 230 milion euro dëm në një investim të vetëm; nuk mund t’i bësh njerëzit të të ndjekin në “betejën” për zgjedhje të lira kur vetë me zgjedhje të vjedhura ke rrëmbyer bashkinë e kryeqytetit dhe nuk ke guxuar kurrë të dënosh krimet elektorale të kryer nën dhe prej regjimeve të partisë tënde; nuk emocionon njeri pse iu vërsulesh “oligarkëve” kur dihet se shumë prej tyre i ke krijuar vetë dhe i ke miq personalë dhe politikë; shfaqesh krejt i pabesueshëm kur flet kundër trafikimit të drogës megjithëse nën qeverisjen tënde dhe kur drejtoje Ministrinë e Brendshme karteli i Lazaratit i ujiste parcelat e drogës me makinat zjarrfikëse të shtetit; nuk mund të ngjallësh shpresë kur lëshon lot krokodili për të varfërit dhe ata që duan ta lënë Shqipërinë kur dihet se varfëria ka qenë e pranishme dhe njerëzit e kanë braktisur vendin njëlloj edhe kur ke qeverisur ti.
Nga ana tjetër, Basha dhe PD bënë edhe disa gabime fatale gjatë opozitarizmit të katër viteve. Megjithëse e dinin se Reforma në Drejtësi ishte shumë e ndjeshme për mbi 90% të popullit shqiptar, ata bënë çmos ta vononin, pengonin dhe dështonin duke u paraqitur para shqiptarëve si mëkatarë të papenduar dhe, në këtë mënyrë, ia shtuan pikët Ramës. Futja në çadër ishte një marrëzi taktike për të cilën besoj fort se ka qenë ide e Sali Berishës. Me futjen në çadër dhe daljen prej saj PD humbi edhe elektoratin e brendshëm, por edhe besueshmërinë ndërkombëtare. Fyerjet, shpifjet, denigrimet dhe talljet që Basha dhe tabori i tij u përpoqën t’iu bëjnë përfaqësuesve të BE dhe SHBA, për shkak të mospajtimit me çadrizmin, e paraqitën opozitën jo vetëm në rrugë të gabuar, por edhe antiperëndimore. Gabimi kryesor nuk ishte dalja nga çadra, por vetë futja në çadër. Ky ishte edhe një mësim për të ardhmen se pushteti nuk merret me ngujime, bllokime rrugësh apo greva urie, por me qëndrime dinjitoze dhe koherente ndaj problemeve madhore kombëtare. Shkeljet e statutit partiak, mosmbledhja dhe mospyetja e forumeve partiake për problemet dhe veprimet kryesore politike opozitare si dhe bërja e listave vetëvrasëse të kandidatëve për deputetë e shndërruan PD-në në një grumbull njerëzish të pamotivuar dhe aspak të bashkuar. Daljet e përditshme publike të Bashës në çadër, thirrjet e tij për dhunë, përpjekjet për të përzier fenë me politikën dhe marrëzia e tij gjatë fushatës kur i tha popullit në Laç se e kishte ditëlindjen në ditën e festës së Shën Ndout dhe se “Zoti më ka marrë peng” ishin vetëm pak nga “faullet” politikë që i siguruan humbjen.
Po kundërshtarët e Bashës në PD? Kundërshtarët kryesorë të Bashës në PD janë i të njëjtit brumë. Produkte të berishizmit, adhurues të “Babës” dhe bartës të të njëjtit moral politik. Ata pohojnë se Bashës iu dha dhuratë partia, por asnjëri prej tyre nuk ka guximin të thotë se kush është dhuruesi. Me të drejtë z.Ylli Rakipi tha se kundërshtarët e Bashës duhet të kërkojnë njëkohësisht dorëheqjet e Bashës, por edhe të Berishës, nëse duan që partia e tyre ta marrë veten. Pavarësisht çfarë thonë avokatët e PD-së, Sali Berisha është i pranishëm fizikisht dhe moralisht tek kupola drejtuese e asaj partie. Ai, edhe tani që partia e tij mori vetëm 28% të votave ndërsa kundërshtari politik ka fituar 55% të vendeve në parlament, del dhe iu thotë shqiptarëve se pushteti po ushtron terror (në psikikën e tij) dhe se kundërshtari fitues i zgjedhjeve nuk gëzon as 30% të besimit popullor. Për të krijuar iluzionin se po qëndron i paanshëm në “garën” për kryetar partie ka nxitur dhëndrin e tij që të mbajë qëndrim kritik ndaj Bashës. Me këto shfaqje moralisht perverse, produkte të psikikës së turbullt, shpreson që PD-ja të rifitojë besimin e popullit shqiptar?
Nga pretendentët për kryetar partie vetëm Eduard Selami ka njëfarë besueshmërie që buron nga e shkuara e tij politike meqë kundërshtoi autoritarizmin berishist në parti. Ndërkohë është vështirë që elektorati mendjehapur i PD të ketë harruar se po ky që kundërshtoi autoritarizmin në pati ka heshtur ndaj sjelljeve kriminale të regjimit berishist ndaj opozitës, shtypit dhe zgjedhjeve të lira. Dhe, çfarë është më keq, u rikthye në PD në vitin 2013, kur kjo parti dhe drejtuesi i saj i kishin shumëfishuar zullumet dhe krimet në qeverisje. Basha dhe kolegët e tij në parti, jo vetëm udhëhiqen shpirtërisht nga berishizmi por edhe përpiqen ta kopjojnë atë me hollësi. Vini re si e kërcënojnë njëri – tjetrin se ” Ne dimë shumë gjëra për njëri – tjetrin…” ( Jemin Gjana ). Edhe termi vetëngrirje është huazuar nga Sali Berisha që e pati përdorur kundër S.Ngjelës. Në PD zihen për normat demokratike vetëm kur bëhet fjalë kush të bëhet i pari i partisë por heshtin dhe bëhen avokatë të veprimeve antidemokratike dhe kriminale sapo ulen rreth banketit të pushtetit politik. Ky është morali i shumicës së tyre.
Sidoqoftë, megjithëse nuk dyshoj se Eduard Selami do ta ndihmonte PD më shumë se kushdo nga kandidatët e tjerë për të dalë nga gjendja, për një varg arsyesh, përfshi edhe ato që u cekën më lart, duket gati e pamundur që Selami t’i fitojë zgjedhjet brenda partisë. Kritikët e Bashës në PD duhet ta bindin anëtarësinë votuese se po të ishte Selami kryetar para zgjedhjeve të përgjithshme PD do t’i kishte fituar zgjedhjet. Bindja krijohet me argumente dhe jo me fjalë të lëshuara në erë. Argumentet duket se mungojnë. Bindja është se, për shkak të berishizmit që përshkon gjithë historinë e PD, edhe sikur ndonjëri nga pretendentët për kryetar partie të kishte qenë drejtues përpara zgjedhjeve nuk ka pasur shanse që përqindja e votave të ishte 2-3 pikë më lart se ato të certifikuara. E vetmja mënyrë që PD të bëhet e besueshme për shumicën e popullit është shkëputja nga berishizmi, dënimi i sjelljeve, moralit dhe krimeve të tij dhe vendosja e disa piketave bazë për orientimin e saj demokratik. Përndryshe, me Bashën apo pa Bashën kryetar, edhe në vitin 2021 PD do të jetë në opozitë. Fatkeqësisht, duket se ajo që i nevojitet PD-së nuk do të ndodhë pasi idetë dhe elementët pozitivë dhe të moralshëm mund të fitojnë vetëm atëherë dhe atje ku pozitivja dhe e moralshmja mbizotërojnë.