Sport E kërkon Messi, Barça ofron Griezmann dhe të tjerë për Lautaro

E kërkon Messi, Barça ofron Griezmann dhe të tjerë për Lautaro

Lajmi i mirë për Interin është se të dielën në mbrëmje, Lautaro do të rikthehet në kampionat, pasi të vuajti dy ndeshje pezullim. Lajmi i keq është se ditët e fundit, një rrjet i dendur thashethemesh ka dalë rreth argjentinasit, që e sheh atë pranë Barcelonës. Nuk është mister që Blaugrana-t janë tifozë të mëdhenj të “Toro”, në veçanti Lionel Messi, i cili do të dëshironte të luante me të, pasi e provoi këtë ndjenjë të shkëlqyer me fanellën e ekipit kombëtar argjentinas.

Klubi katalanas do të bëjë gjithçka për ta kënaqur kapitenin e vet unik, në mënyrë që të shmanget një largim i tij i dhimbshëm. Për arsye që lidhen me “Fair Play Financiar”, Barcelona do të preferonte të mos harxhonte 111 milionë euro, sa është klauzola e lirimit të sulmuesit zikaltër. Synimi është që të përfshijë në operacion disa homologë teknikë, që do t’i ulnin ndjeshëm shpenzimet ekonomike. Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, një nga emrat që mund t’i bënte punë edhe Interit është Antoine Griezmann. “Le Petit Diable” asnjëherë nuk është sinkronizuar me Messin, ndaj lamtumira e tij nuk do të shihej si katastrofë.

Përveç asit francez, në “San Siro” mund të lejohej të kalojë edhe Vidal, nxënësi i trajnerit Conte, apo Alena. Ky i fundit është i huazuar te Betis. Në listë mund të përfundojë Coutinho (për sa kohë që Bayern Munich nuk e blen) dhe Todibo (nëse nuk do të qëndrojë te Schalke 04, ku është huazuar), i cili mund të jetë zëvendësuesi i Godin, deri tek Arthur. Aq shumë emra, që fusin në mendime Marotta dhe Ausilio, të cilët, për të pranuar një transferim të Lautaro te Barcelona, do të kërkojnë garanci të sakta.