Thomas Strakosha do të vazhdojë karrierën në Premier League. Portieri i kombëtares shqiptare do të largohet në fund të sezonit nga Lazio si lojtar i lirë.
Akordi i rinovimit nuk u arrit dhe më 30 qershor merr fund aventura 9-vjeçare e “gardianit” 27-vjeçar me klubin bardhekaltër, me të cilin ka fituar 2 Kupa Italie dhe po kaq Superkupa.
Strakosha ka gjetur marrëveshjen me Fulham, ekip që siguroi rikthimin në elitën e futbollit anglez. Katër vite do të firmosë portieri shqiptar me klubin londinez.
Tani kanë mbetur për t’u zgjidhur detajet e fundit, dhe më pas do të vijë zyrtarizimi i transferimit në ishull. Gjatë viteve në kryeqytetin italian, Strakosha e veshi 207 herë fanellën e Lazios.