Sport Pogba kthehet në “shtëpi”, refuzon paratë e PSG-së për Juven

Pogba kthehet në “shtëpi”, refuzon paratë e PSG-së për Juven

Paul Pogba dhe John Elkann

Këtë herë është e vërtetë: Paul Pogba është shumë afër rikthimit te Juventus. “Gazzetta dello Sport” shkruan se mesfushori francez i ka thënë ‘po’ propozimit të Juventusit, duke e preferuar atë ndaj ofertës shumë më të lartë të PSG-së dhe duke hequr dorë nga një pjesë e parave që do të kishte fituar në Paris vetëm për t’u rikthyer në Torino.

Në veçanti, “Oktapodi” ka rënë dakord për një kontratë trevjeçare prej 7.5 milionë euro, e pasuruar me bonuse që mund ta çojnë atë të arrijë në 10 milionë në vit. Jo saktësisht shuma e vënë në pjatë nga parisienët, që ishte 14 milionë euro, por gjithsesi një pagë shumë e rëndësishme.

Marrëveshja nuk është mbyllur ende, por bëhet fjalë vetëm për limimin e disa detajeve për të arritur në akordin e shumëpritur. Çështja mund të zgjidhet deri në fund të muajit, pas së cilës mbetet vetëm të pritet rikthimi zyrtar i Paul Pogba në Torino. Francezi do të ishte përforcimi i parë i madh i Juventusit të ri, qendra e projektit të ri bardhezi dhe mbi të gjitha njeriu rreth të cilit Max Allegri do të rindërtonte një mesfushë shumë zhgënjyese në dy sezonet e fundit.

Në idenë e trajnerit toskan, Pogba do të vepronte si mesfushor gjysëm anësor, me Locatellin përpara mbrojtjes dhe ndoshta Rabiot në anën tjetër. Pasi të jetë fiksuar mesfusha, do të mendohet për kompletimin e reparteve të tjera. Acerbi në fakt do të zëvendësojë Chiellinin – me Ruganin te Lazio -, për sulmin, ndërkohë, në krahun e djathtë pritet drita jeshile nga Angel Di Maria, me problemet e njohura për kohëzgjatjen e kontratës. Rruga që të çon te Ivan Perisic është më e vështirë.

Në orët e fundit, Interi në fakt është përpjekur të ngrejë ofertën për të bindur kroatin të rinovojë. Dueli nuk ka përfunduar, por zikaltrit janë në epërsi për momentin, pa lënë pas dore mundësinë që Perisic të zgjedhë përfundimisht Premier League.