Një 39-vjeçar ka rënë në pranga e Policisë së Tiranës pas një hetimi disa javor për të goditur shitjen e lëndëve narkotike.
I arrestuari me Gjovalin Gjoka nga Durrësi, person me precedent të mëparshëm penal dhe i dënuar për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje, siguronte lëndën narkotike kokainë në Durrës dhe më pas e shiste në Tiranë.
Ai merrte 200-250 gramë kokainë dhe më pas e ndante në porcione 10-100 gramë duke i shitur me shumicë në zonën e “Bulevardit të Ri”, në ish-Stacionin e Trenit dhe në zonën e “Zogut të Zi“, në qytetin e Tiranës.
Po ashtu ai shiste kokainën edhe në Durrës dhe Shijak kundrejt vlerës 80 mijë Lekë të vjetra për gram. Klientët që blinin lëndën narkotike i priste në stacione autobusësh, për të mos rënë në sy. 39-vjeçari e kryente këtë aktivitet kriminal dy herë në javë.
Në vijim të operacionit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 400 gramë kokainë, një sasi dozash me kokainë, 1 aparat celular dhe 1 automjet me të cilin lëvizte ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.