Bota Mitsotakis: Qytetarët e pavaksinuar nuk do hyjnë në asnjë ambient të mbyllur

Mitsotakis: Qytetarët e pavaksinuar nuk do hyjnë në asnjë ambient të mbyllur

“Kthejini shpinën frikës dhe çdo sharlatani që për t’u bërë i rëndësishëm tregton injorancën. Vaksinohuni”.

Me këtë fjali iu drejtua mbrëmë popullit të tij kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, teksa shpalli 5 masa shtesë në luftën kundër pandemisë.

Duke nisur nga e hëna, asnjë qytetar i pavaksinuar nuk do mund të hyjë në ambiente të mbyllura shërbimesh përjashto hotelerinë. Nuk do pranohet as testi negativ. Certifikata e vaksinimit për moshat mbi 60 vjeç përfundon pas 7 muajve dhe pastaj duhet të marrin dozën përforcuese.

Orët e punës do zgjerohen në sektorët publike dhe private për të shmangur mbipopullimin. Së katërti, inspektimet do të shtohen për respektimin e masave dhe pika e fundit është zgjerimi i flotës së mjekëve për t’u përballur me situatën.

Doza e tretë për të moshuarit

Rritja e të infektuarve me COVID detyron autoritetet greke të marrin disa masa kufizuese, por edhe për të nxitur vaksinimin.

Frika shtohet pasi jemi në prag të festave. Pas vendimit që mjekët privatë në rajonet veriore duhet të ndihmojnë sektorin shtetëror, kryeministri Mitsotakis në një dalje për mediat bëri me dije kufizimet, ku tha se të moshuarit duhet të bëjnë dozën e tretë të vaksinës.

“Ardhja e mutacionit Delta ka ngadalësuar largimin e pandemisë në mbarë botën. Por, kudo vaksina i jep fitore njeriut dhe jo sëmundjes. Sepse aty ku shkon vaksinimi, virusi largohet. Sot, më shumë se 7 milionë grekë kanë zgjedhur vaksinën. Tre nga katër të rritur. Megjithatë, 575,000 bashkëqytetarë mbi moshën 60 vjeç mbeten të pambrojtur dhe ne e dimë se ata goditen më shumë nga virusi. Prandaj, doza përforcuese e vaksinës  është vendimtare”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis.

Bllokadë të pavaksinuarve

Edhe për të hyrë në kisha, duhet që besimtarët të tregojnë testin negativ. Kreu i qeverisë u shpreh se qytetarët e pa vaksinuar, nuk do të lejohet të hyjnë në ambiente te mbyllura.

“Nga e hëna e ardhshme, të gjithë qytetarët e rritur të pavaksinuar, përveç hotelerisë, nuk do të hyjnë në ambiente te mbyllura. As me testet negative. As në kinema, teatro, muze apo palestra. Është një masë mbrojtëse e dhe sigurisht një nxitje indirekte për t’u vaksinuar. Së dyti, certifikata e hyrjes në ambiente të mbyllura për personat e vaksinuar mbi 60 vjeç nuk vlen pas shtatë muajsh”, shtoi ai.

Si masë tjetër Mitsotakis njoftoi shtrirjen e orarit në sektorin publik dhe privat në mënyrë që të mos ketë përqendrim të madh njerëzish në ambientet e punës.

Greqia regjistroi sërish në 24 orët e fundit mbi 7 mijë infektime, 556 të intubuar dhe 63 viktima.

Vetëm gjatë nëntorit kanë humbur jetën gati 1100 persona.