Dhjetë ditë pas Indonezia mbajti zgjedhjet e konsideruara si “më të mëdhatë në botë” në një ditë të vetme, më shumë se 270 njerëz kanë humbur jetën jo nga incidentet, por për shkak të mbingarkesës së punës në numërimin e miliona votave. Duket diçka gati e pabesueshme por që ka ndodhur vërtet, sipas shumë raportimeve.
Zgjedhjet u mbajtën më 17 prill në vendin me 260 milionë njerëzve, ku për herë të parë u integruan zgjedhjet presidenciale me ato për parlamentin kombëtar e njëherësh dhe për qeverisjet krahinore, e zgjedhur kjo si një mënyrë për të zvogëluar shpenzimet.
Votimi kaloi vërtet në mënyrë paqësore, ku pjesëmarrja ishte rreth 80 për qind. Ishin 193 milionë indonezianë që shënuan pesë fletë votimi në 800.000 vendvotime.
Megjithatë, procesi i numërimit të votave në një vend që shtrihet për gati 5000 kilometra nga lindja në perëndim rezultoi me pasoja njerëzore deri në humbje jete, pikërisht nga numërimi me dorë.
Deri në natën e shtunë, 272 zyrtarë dhanë shpirt nga orët e tepërta të punës, dhe 1,878 të tjerë kanë përfunduar në spital, informoi zëdhënësi i Komisionit të Përgjithshëm Zgjedhor, Arief Priyo Susanto.