Një ngjarje e pazakontë e sferës humane ndodhi në Indonezi. Me qindra motoçiklistë nxituan në një spital vendas për të tërhequr trupin e një foshnjeje të mbajtur për shkak të faturave të papaguara.
Fotografitë që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë një kolonë motorësh duke dalë nga spitali me trupin e Alif Putra, raporton BBC.
Në Islam është rregull që i ndjeri të varroset menjëherë pas vdekjes, megjithatë, familjes Putra u tha që ata nuk mund të merrnin trupin e 6-muajshit Alif nga spitali, derisa të kishin paguar faturat e trajtimit.
Dhe motoçiklistët vendosën të reagojnë, pasi foshnja ishte nipi i një kolegu të tyre.
“Ne reaguam pasi mësuam se familja nuk mund ta varroste fëmijën për shkak të faturave të papaguara, rreth 1,774 dollarë”, tha njëri prej tyre.
Ai shtoi madje se forcat e rendit u përpoqën që t’i ndalonin, por hoqën dorë sepse kishte shumë motoçiklistë. Pamjet e motoçiklistëve që hynin dhe dilnin nga spitali u bënë virale, duke shkaktuar një debat për varfërinë në Indonezi. Tashmë ka raportime të shumë prindërve që thonë se nuk kanë mundur të tërheqin foshnjat e porsalindura nga repartet e maternitetit për shkak të faturave të papaguara në spital.
Devi Suriya, nëna e foshnjës së ndjerë, tha se familja ishte në proces të regjistrimit në sistemin e kujdesit shëndetësor kur Alif i vogël u sëmur. Ai duhej t’i nënshtrohej një operacioni, por ndërroi jetë të martën në mëngjes. Familja nuk kishte para për të paguar koston e trajtimit, kështu që trupi u mbajt në spital.
“Spitali na ka kërkuar të paguajmë faturën, dhe burokracia e ka vonuar procesin”, tha ajo, duke shtuar se “motoçiklistët u zemëruan dhe morën trupin me forcë.”
Spitali më vonë kërkoi falje dhe premtoi se diçka e tillë nuk do të ndodhte më kurrë. Drejtori Yusirvan Yusuf tha se bordi i spitalit mbuloi faturat e papaguara dhe e përshkroi incidentin si një keqkuptim. Megjithatë, ai kritikoi veprimet e motoçiklistëve, duke i konsideruar të pamatura dhe të rrezikshme.
“Kemi një procedurë standarde pas operacionit që nuk është ndjekur. Çfarë do të ndodhte nëse trupi kishte një sëmundje infektive? Kush do të mbante përgjegjësi?”, tha ai,
E nga ana tjetër, edhe një përfaqësues i motoçiklistëve i kërkoi falje bordit të spitalit: “Kërkoj falje në emër të kolegëve të mi. Ne nuk dinim për procedurën. Trupi qëndronte në morg për një kohë të gjatë, kjo është arsyeja pse e morëm atë vendim”.