Ambasadori amerikan ka thyer heshtjen relativisht të gjatë. Kryediplomati amerikan, për herë të fundit kishte folur kur akuzoi Kryeprokurorin se kishte shkelur Kushtetutën gjatë zbatimit të reformës. Në një takim me gazetarët kryesorë në vend, zoti Lu foli për herë të parë për protestën e opozitës dhe shprehu qëndrimin e Uashingtonit.
Sipas ambasadorit:
“Çështjet e ngritura nga protesta e opozitës janë shqetësime që i ndajmë edhe ne, si shumë shqiptarë. Zgjedhjet, dekriminalizimi dhe situata shqetësuese e hashashit në vend. Aty ku ne ndahemi janë mjetet për ta shtyrë përpara këtë axhendë. Shtetet e Bashkuara janë kundër bojkotit të Parlamentit, kërcënimi për të bojkotuar zgjedhjet, Reformën Zgjedhore apo zbatimin e Reformës në Drejtësi”.
Ambasadori Lu përjashtoi mundësinë e negociimit ndërkombëtar dhe veçanëriasht atij amerikan. Ai tha se kjo mund të zgjidhej mes vet partive politike shqiptare, me qetësi dhe jashtë retorikave të ashpra.
Ai veçanërisht foli për shqetësimin amerikan për bllokimin, që kjo situatë mund t’i sjellë Reformës në Drejtësi, e veçanërisht gongut që tashmë ka rënë për zbatimin e ligjit të “vetting”-ut, tashmë që misioni ndërkombëtar po çon “listën e zezë” të zyrtarëve për t’u miratuar në Parlament, ku duhet të ngrihen për këtë edhe komisionet e posaçme parlamentare me përbërje të barabartë mazhorancë-opozitë.
Duke iu kthyer situatës politike e protestës së opozitës, si dhe rreziqeve të pozicionit të ri të marrë nga Lulzim Basha, ambasadori amerikan foli edhe për takimin e tij me Ilir Metën.
“Ishte një takim shumë pozitiv. Unë nënvizoj rolin kritik që tashmë ka Ilir Meta në këtë situatë, si dhe përpjekjet që ai duhet të bëjë për të gjetur mundësi për zgjidhjen e saj”, tha Donald Lu.
Ambasadori Lu kishte edhe një këshillë:
“Kam një këshillë për ata që protestojnë. Shpresoj që të përqafojnë reformat”.
Një insinuatë e drejtpërdrejtë që opozita të kthehej në Kuvend dhe të votonte komisionet e “vetting”-ut.
Ja fjala e plotë e ambasadorit të SHBA, Donald Lu:
Protesta – Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht ndajmë disa nga synimet e protestës aktuale: thirrjen për zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin, veprime më vendimtare kundër narkotikëve. Ajo që nuk ndajmë janë disa nga metodat: bojkoti i Parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bojkotuar apo bllokuar zgjedhjet, bllokimi i Reformës Zgjedhore, apo zbatimi i Reformës në Drejtësi. Sipas mendimit tim, persona seriozë nga e djathta dhe e majta duhet të kryejnë një dialog serioz lidhur me mënyrën për t’i bërë disa gjëra konkrete, për të çuar përpara zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve.
“Vetting”-u – Shoh shumë përparim. Në dhjetor patët vendimin e guximshëm të Gjykatës Kushtetuese për të mbështetur ligjin e “Vetting”-ut. Po ashtu pati thuajse 200 shqiptarë që aplikuan për t’u bërë komisionerë të “vetting”-ut. Ishte Avokati i Popullit, që kreu një punë shumë serioze e profesionale për t’i shqyrtuar ata persona ndaj kërkesave kushtetuese. Dhe, gjatë dy javëve të fundit kemi pasur ekspertë ligjorë nga më të mirët nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian, që kanë filluar një proces shumë intensiv për të shqyrtuar jo vetëm 29 persona, por të gjithë 193 personat që ishin në listë. Sot Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do t’ia dërgojë rekomandimet e veta Presidentit, i cili ka 5 ditë për t’ia dërguar Parlamentit. Ndaj shpresoj që në një pikë të këtij procesi, rekomandimet do të bëhen publike dhe publiku shqiptar do të ketë mundësinë të shohë se çfarë pune serioze e profesionale është kryer nga Avokati i Popullit, si dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Për 5 ditë do të jetë përgjegjësia e Parlamentit për të marrë përfundimisht hapin tjetër, i cili është formimi i komisioneve të “vetting”-ut. E kam dëgjuar skepticizmin, e përsëris, por si përgjigje them se kam besim 100% se kjo reformë do të ecë përpara. Është në Kushtetutë! Nuk është diçka që mund të zgjedhësh!
Në përgjigje të një pyetjeje mbi mënyrën sesi përfundon protesta…
Donald Lu: Them se rruga më e mirë për të krijuar komisionet do të jetë me pjesëmarrjen e opozitës.
Kryetari i Parlamentit – Roli i kryetarit të Parlamentit Meta në miratimin e amendamenteve kushtetuese në korrik ishte me rëndësi kritike dhe, pa hezitim do të thoja që roli i tij tani është kritik. Kemi një dialog shumë të mirë me zotin Meta dhe kolegët e tij, me qëllim që të përpiqemi të ndërtojmë një vizion të përbashkët mbi mënyrën sesi të zbatohet kjo reformë.
Çadra – Le të ndalojmë së vrari mendjen [thjesht] për çadrën. Le të vrasim mendjen për çështjet nën të, çështjet serioze të ngritura nga opozita: zgjedhje të lira dhe të ndershme, drogën dhe krimin e organizuar, dekriminalizimin. Këto janë gjëra serioze. Dhe mendoj se të gjitha partitë politike duhet të kërkojnë për mundësi për të nxjerrë nisma që merren me këto çështje serioze. Mendoj se çadra mund të jetë pozitive, nëse shohim përparim me synimet. Çadra mund të jetë negative, nëse shohim vetëm metodat, pra bojkotimi i Parlamentit apo prishja e zgjedhjeve. Prandaj, le të shpresojmë se çadra do të ketë ndikim pozitiv. Kjo sigurisht është ajo që shpresoj. Një gjë që diplomatët amerikanë thonë gjithmonë dhe me të cilën jam në një mendje është se, një Shqipëri e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Të gjithë, majtas e djathtas, në opozitë dhe qeveri duhet të shpresojmë për një opozitë të fortë; kjo është pjesë e demokracisë në vendin tim dhe në Shqipëri.
Dekriminalizimi – Kemi nxitur procesin e dekriminalizimit, por në dy mënyra të veçuara: njëra është ligji i Dekriminalizimit, i mirënjohur, dhe e dyta është nevoja për disiplinë brenda partive politike. Në SHBA, nëse dëshiron të jesh kandidat për një parti politike kryesore, duhet t’i nënshtrohesh një viti “vetting” nga njerëz seriozë që shohin historinë tënde. Vet partitë duhet të marrin përgjegjësi se kë kandidojnë. Dhe vitin e kaluar, në fakt bëmë një prezantim për disa prej partive politike sesi e kryejmë ne këtë në Shtetet e Bashkuara. Tani e dimë që partitë politike kryesore po i nënshtrohen një procesi për të gjetur mënyrën sesi do t’i vlerësojnë kandidatët. Ambasada jonë dhe shumë ndërkombëtarë të tjerë kanë shqyrtuar nga afër listën e kandidatëve, por është edhe më e rëndësishme që këtë kanë qenë duke e bërë vet partitë politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto janë institucione të Shqipërisë që kanë përgjegjësinë t’i parandalojnë personat nga kandidimi.
Prokurori i Përgjithshëm – Dua të them se nuk kam asgjë kundër zotit Llalla. Ishim të shqetësuar që kishte ndërmarrë tri hapa të veçuara, që dukeshin se ishin të vendosura për të minuar Reformën në Drejtësi dhe ne i kishim bërë një premtim popullit shqiptar se, kur ta shihnim këtë do të ngrinim zërin. Mendoj se duhet t’i përgjigjemi këtij angazhimi.
Protestat – Kam një këshillë për ata që protestojnë dhe ajo është se, shpresoj që do të vazhdojnë të përqafojnë reformat, sepse mendoj që populli shqiptar qartësisht ka shumë shqetësime për tri çështjet që janë ngritur: zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimi dhe lufta kundër drogës. Por, mendoj prapë se populli shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar e shohin me shumë rëndësi këtë proces reformash. Por ata nuk duhet të dëmtojnë procesin e reformës, ndërkohë që punojnë për këto tri synime të rëndësishme. Në fakt duhet të shkojnë bashkë.
Bojkoti i Parlamentit – Siç e thashë, sigurisht që nuk jemi dakord me metodën e bojkotit. Do të ishte mirë, nëse qeveria dhe opozita do të dialogonin dhe të arrinin njëfarë marrëveshjeje, ku opozita të ndihej se mund të kthehej në Parlament. Të mos përqendrohemi [thjesht] te çadra. Të përqendrohemi tek tri synimet dhe të shohim nëse mund të bëjmë diçka serioze lidhur me këto tri synime; do të ishte në interesin e njerëzve në të djathtë dhe atyre në të majtë, të qeverisë dhe të opozitës. Po ashtu, e kam thënë tashmë se nuk bie dakord me mënyrën, e cila po bllokon këto reforma, por më lejoni të sugjeroj që një mënyrë që na kthen te puna për këto reforma është dialogu midis opozitës dhe qeverisë dhe ecja përpara për këto tri çështje. Tani, përgjegjësia për krijimin e komisioneve të “vetting”-ut dhe për këtë proces ikën nga duart e vëzhguesve ndërkombëtarë sot, kalon te Presidenti dhe brenda 5 ditësh duhet të shkojë në Parlament.
Politika e jashtme e administratës “TRUMP” – Ajo që kemi parë është interes i vazhduar kudo në botë për çështje që lidhen me çështje të terrorizmit, antikorrupsionit, sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit. Kjo qartësisht do të thotë se këto janë çështje që qeveria e re, administrata e re do t’i mbështesë, sepse kanë lidhje të drejtpërdrejtë me interesat amerikane. Të gjitha qeveritë e Shteteve të Bashkuara i mbështesin këto çështje. Për sa i përket NATO-s, siç e patë Presidentin në fjalimin përpara Parlamentit në vendin tonë dy ditë më parë, ai rishprehu angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s. Më duhet të them diçka shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Presim të marrë pjesë në samitin e NATO-s në maj. Edhe kryeministri Rama do të marrë pjesë. Ajo që pres është që do t’i bëjë thirrje të gjithë anëtarëve të NATO-s që të mbështesin shpenzime më të mëdha ushtarake, shpenzime më të mëdha për mbrojtjen, sepse ka një angazhim shumë të fortë, ashtu si presidenti i mëparshëm, që e gjithë aleanca të paguajë pjesën që i takon. E dyta është zhvillimi i aftësive reale për antiterrorizmin brenda NATO-s. Ka shumë mbështetje për këtë tashmë mes anëtarëve të NATO-s. [Të gjithë aleatët e NATO-s] janë viktima të terrorizmit në mënyra të ndryshme, ndaj do të besojmë që NATO do të mund të ofrojë disa përgjigje që kanë të bëjnë me këtë sfidë.