Presidenti serb Aleksandër Vuçiç pretendon se homologu rus Vladimir Putin i kërkoi falje për postimin e papërshtatshëm të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova në Facebook, ku u theksua prej saj poshtërimi i Vuçiçit përballë Trump-it në Shtëpinë e Bardhe, pak para marrëveshjes me Hotin, nisur nga mënyra e qëndrimit në karrige përballë presidentit amerikan. Sipas Vuçiçit, Putin i tha se pas fjalëve të Zaharovas nuk qëndronte Kremlini, aq më pak ai personalisht.
“Putini, si dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, kurrë s’ më kanë kërkuan falje për asgjë, por ata të dy e bënë këtë për diçka të tillë, pa e përmendur unë madje”, tha Vuçiç për RTS, raporton Tanjug.
Vuçiç pati një bisedë telefonike me Putin, pas së cilës tha se “ai tregoi mirësjelljen e tij duke thënë se shteti rus nuk qëndron pas kësaj, dhe posaçërisht jo ai personalisht”.
Ai deklaroi se nuk e përmendi as postimin e Maria Zaharovas në bisedë, sepse e konsideroi atë një incident të parëndësishëm, pasi dhe në Serbi ka deputetë që “flasin kot” për Rusinë dhe ata nuk kërkojnë falje.
Ai tha se “reagimi i Rusisë tregon se sa respekt ka Rusia për të personalisht dhe për Serbinë”.
I pyetur nëse ai mendonte se Zaharova mund të kishte publikuar një postim të tillë pa u konsultuar me shefat e saj, Vuçiç tha se të gjithë mund të gjykonin si të donin, dhe përsëriti: Putini i kërkoi falje!