Kanë dalë pamjet kur 19-vjeçarja Hygerta Meta është dërguar në një poligon nga hetuesit në Durrës, për të parë nëse kishte dijeni në përdorimin e armës, dhe nëse mund të qëllonte. Sipas hetuesve, Hygerta di që të përdorë armë, megjithatë ende nuk konfirmohet nëse ajo është autorja e vrasjes së babait të saj Pëllumb Meta. Siç shihet në foto, Hygerta duket e qetë, dhe ka kryer disa qitje në poligon, duke dëshmuar se di ta përdorë armën.
I njëjti eksperiment iu kërkua dhe anëtarëve të tjerë të familjes, por djemtë Hyseni dhe Amarildo, refuzuan, duke thënë se ata nuk kishin qëlluar asnjëherë më parë me armë. Ky refuzim ka shtuar dyshimet e policisë, se mund të ketë qenë njëri prej djemve ai që ka qëlluar babanë, dhe jo Hygerta që deri tani ka marrë përsipër fajin.
Nga ekspertiza që iu bë armës së krimit, rezultoi se në të kishte gjurmë gishtash dhe të djalit të vogël të familjes, Amarildos, i cili deri tani ka pretenduar se nuk ka qenë në banesë në momentin e vrasjes së babait.
Në armën e krimit rezulton se gjurmët ishin fshirë. Prokuroria e Durrësit akuzon si autor të vrasjes djalin e madh të familjes, ndërsa Hygertën e Amarildon si bashkëpunëtorë të tij.
Por në Gjykatë, në seancën ku u dha masa e sigurisë, Hygerta rimori përsipër fajin duke thënë se e kishte vrarë ajo babanë, pas konflikteve të vazhdueshme që ka pasur me të.