Politika “Balla bëri kallëzim të rremë”, Argita Malltezi për çështjen ‘Partizani’: SPAK nxjerr...

“Balla bëri kallëzim të rremë”, Argita Malltezi për çështjen ‘Partizani’: SPAK nxjerr vetëm tymnajë

Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha së bashku me avokatët Genc Gjokutaj dhe Klodian Skënderaj kanë mbajtur ditën e sotme një konferencë për shtyp.

Argita Malltezi e ka nisur fjalën e saj duke thënë se çështja “Partizani” ka nisur nëpërmjet diktatit politik teksa ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Taulant Balla për kallëzim të rremë.

Argita Malltezi: Çështja filloi nëpërmjet diktatit politik. Balla bëri një kallëzim penal që ishte një kallëzim i rremë. Vendimi i parë ishte se pronarët janë shpronësuar pasi toka u është marrë për interesa publike dhe u është kompensuar me para. Ligji njihet, nuk mund të dalë dikush dhe të thotë se nuk e njoh. Ky është kallëzim i rremë. Balla duhet të ishte në bankën e të akuzuarve për kallëzim të rremë. Përjashtojnë statusin e shpronësimit. Këto fletore zyrtare i ka edhe SPAK. Ndonëse është bërë kallëzim për kallëzim të rremë për Ballën ku janë ofruar një sërë të dhënash, SPAK nuk e ka marrë Ballën për këtë vepër penale.

Gjatë fjalës së saj, Argita Malltezi ka thënë se pasi kryeministri Edi Rama ka bërë presion publik për marrjen të pandehur Berishën dhe familjen e tij, kjo prokurori sipas saj, ka intensifikuar veprimet proceduriale.

Argita Malltezi: Në çdo moment, kur Rama ka bërë presion publik për SPAK për marrjen të pandehur Berishën apo familjen e tij, SPAK ka intensifikuar veprimet proceduriale.

Argita Malltezi akuzon SPAK për pretendime të rreme për akuzat ndaj babait të saj, Sali Berishës dhe bashkëshortit, Jamarbër Malltezit në lidhje me privatizimin e klubit sportiv “Partizani”.

Argita Malltezi: Në 2008, Rama miraton një master plan në të cilën e gjithë zona tashmë, parashikohet si zonë me zhvillime të reja me parametra urbane të larta. Një nga pretendimet e rreme të SPAK, ishte tymnaja që SPAK vetëm nxjerr tymnajë dhe në asnjë rast nuk thotë që nëpërmjet këtij veprimi është shkelur kjo dispozitë ligjore. Ajo që është ligj, ndryshohet me ligj, kështu që gjërat kur materializohen nuk mund të ndryshohen me dëshirën e SPAK. Klubi i futbollit shërben si vendndodhje dhe jo si objekt. Shprehje abuzive për arrest me burg për Malltezin dhe masa të tjera për Berishën, sikur pronarët u kujtuan për pronën pas 2005-ës. Pronarët e kanë kërkuar pronën që në 93′. U është njohur të gjitha familjeve, ka filluar kthimi i pronës pjesërisht, që ka vazhduar deri në 2007, pjesë-pjesë dhe për familjet sipas kërkesave të tyre.

Ky tjetërsim ka filluar në 2005 nga PS. Ndryshe nga tymnaja që kërkon të krijojë SPAK, shkresa zyrtare, tregojnë se klubet kanë qenë jashtë funksionit. Klubi ka qenë i zënë informal nga banorët që banonin aty. Shteti paguante të punësuar që mbaheshin atje. Shteti nuk ka asnjë dëm nga privatizimi i klubit Partizani. Për godinat, shteti arriti të marrë 800 mijë Dollarë. I vetmi dëm ekonomik ka qenë prej mosveprimit të Ramës që nuk zbardhi lejen e ndërtimit që e kishte firmosur vetë. Ky fakt është bërë i qartë. SPAK hesht. Të gjitha pretendimet e SPAK rrëzohen.