Aktualitet E rëndë në Korçë, dy marokenëve u vihet thika në fyt dhe...

E rëndë në Korçë, dy marokenëve u vihet thika në fyt dhe grabiten

Dy marokenë që kanë kaluar kufirin e gjelbër mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke arritur të hyjnë në janar të 2020 në territorin Shqiptar, janë ndeshur në Korçë me një grup grabitësish, që i rrahur, vendosur thikën në fyt dhe më pas i kanë zhveshur, duke i grabitur sendet me vlerë që ata kishin.

Xhad Almardi dhe Emin Labib, marokenët e futur ilegalisht në Shqipëri, kërkonin të udhëtonin në drejtim të Tiranës, dhe kanë rënë dakord që Mikel Rënxa, Kristi Deti, Andrea Grabocka dhe Klajdi Islamaj, ti transportonin me makinë, kundrejt një pagese prej 80 euro. Por sapo kanë hipur në makinë, e kanë parë veten nën thikat e katër personave të mësipërm, të cilat ja kishin vënë në fyt. Marokenëve u janë hequr dhe pantallonat me qëllimin e vetëm gjetjen e sendeve me vlerë si telefona dhe euro.

Por pas grabitjes dy marokenët e kanë denoncuar rastin në policinë e Korçës, duke deklaruar ngjarjen. Nga përgjimet e kryera dhe ballafaqimi në polici me dy marokenët është bërë e mundur identifikimi i katër autorëve të kësaj ngjarje të rëndë.

Më konkretisht të arrestuarit Mikel Rënxa, Kristi Deti, Andrea Grabocka dhe Klajdi Islamaj, kanë dalë sot para gjykatës, ku janë njohur me masën e “arrestit në burg” që ka vendosur trupi gjykues.

Ngjarja

Gjatë hetimeve të kryera nga prokuroria dhe policia e Korçës, ka rezultuar se në datën 20 janar 2020, rreth orës 16:00, shërbimet e Policisë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të policisë Korçë, gjatë kryerjes së shërbimit, kanë konstatuar dy shtetas te huaj, të cilët u kanë kërkuar ndihmë. Këta dy shtetas të huaj, i kanë marrë disa  persona shqiptarë, duke ju thënë se do t’i çojnë në Tiranë për 80 euro, e më pas i kanë çuar në afërsi te “Vendgrumbullimit te plehrave” që ndodhet në dalje të Korçës dhe më pas aty duke i kërcënuar me thika, duke i goditur, ju kanë marrë me forcë të gjitha sendet që të huajt kishin me vete, që janë tre aparate telefoni; një sasi rreth 350 euro; çantat me tesha që kanë pasur me vete.

Denoncimi

Më pas dy marokenët Xhad Almardi dhe Emin Labib, i janë drejtuar komisariatit të Korçës, ku kanë denoncuar grabitjen në polici. Dy marokenët kanë pohuar në polici se kanë qenë së bashku dhe nëpërmjet një aplikacioni në celular “MapsMe”, kanë kaluar kufirin Greqi-Shqipëri, kanë ndjekur rrugën për në qytetin e Korçës. Konkretisht ata sqarojnë se në datën 20 janar 2020, janë afruar pranë një godine që kishte të vendosur një flamur grek (që është shkolla 9 vjeçare dhe e mesme “Omiros” në rrugën Korçë-Ersekë), e kanë vazhduar të ecnin për në hyrje te qytetit. Atje u ka kaluar afër një automjet tip BMË dhe ka qëndruar para tyre duke pritur që ata të afroheshin.

Pasi janë afruar, ata kanë parë në makine katër persona, dy prej tyre kanë zbritur, këta dy persona ju kanë thënë dy marokenëve, në gjuhën angleze se do i ndihmonin dhe do i shpinin në Tiranë duke, ju pohuar se duhet të paguanin 100 Euro, por marokenët, u kanë thënë se do u jepnin 80 Euro dhe kështu kanë rënë dakord. Personat që zbritën nga BMË, ju kanë thënë që të prisnin atje dhe kanë ikur. Dy marokenët i përshkruajnë me hollësi këta dy persona dhe janë në gjendje ti njohin. Pas kësaj bisede, ata kanë vazhduar të ecin gjatë rrugës dhe në afërsi të një pike karburanti, me ngjyrë të kuqe në anën tjetër të rrugës ka qëndruar një automjet i markës “Ford Fokus” me ngjyrë si në gri, në timon ka qenë një nga personat që ju ka folur dhe në sediljen e parë ka qenë personi një tjetër që ju ka folur. Ata ju kanë bërë me shenjë që të afroheshin dhe të hipnin në makinë duke ju thënë: “…go go go polic..” dhe ju kanë pohuar se nëqoftëse ata i kapte polica marokenët duhet te paguanin 10 000 Euro. Dy marokenët, kanë hipur në sediljen e pasme të mjetit “Ford Fokus” dhe janë nisur, kanë shkuar pranë një pike karburanti, ku ju kanë kërkuar që t’i hidhnin karburant makinës me vlerën 50 Euro, lekë që i ka dhënë Amin Labib.

Ky i fundit tregon itinerarin e rrugës që kanë përshkruar dhe sqaron se i kanë shpënë në një rrugë, e cila ishte e shtruar me dhe, ku ka patur një varrezë makinash, me tutje i kanë shpënë në një rrugë buzë një lumi, ku nuk kishte banesa, në mes të rrugës ishte i vendosur një gur i cili sinjalizonte edhe vendin ku do të qëndronin. Mikel Rënxa, Kristi Deti, Andrea Grabocka, Klajdi Islamaj kanë qëndruar makinën dhe janë kthyer në drejtim të dy marokenëve, duke ju vendosur nga një thikë në grykë, e i kanë kërcënuar për t’jua marrë sendet dhe lekët që kishin me vete. Në këtë moment janë shfaqur edhe dy persona të tjerë shqiptarë, të cilët kane shkuar e kanë hapur dyert e makinës dhe i kanë nxjerrë jashtë duke i goditur me grushta dhe shkelma. Të katër personat kanë patur thika në duar dhe ata ju kanë marrë çantat dhe i kanë tërhequr dhe i kanë ulur në gjunjë duke i kërcënuar. Personi me sy jeshil ka marrë një gur dhe është matur për ti goditur në kokë. Ata i kanë kontrolluar nëpër xhepa madje ju kanë ulur edhe pantallonat për ti kontrolluar, gjatë gjithë kohës presioni ka qenë tepër i lartë dhe i dhunshëm. Njëri nga marokenët, Amin Labib tregon se i kanë vjedhur me dhunë 200 euro kesh, dy çanta me rroba trupi dhe dy telefona njëri i markës “Samsung GT.1928” me ngjyrë blu dhe njeri i markës “OPPO F3” me ngjyrë të bardhë me thouch.

Markoeni tjetër Xhad Almardi deklaron se i kanë vjedhur me dhunë 100 Euro, një telefon i markës “Huaëie V6” me touch dhe një çantë me rroba trupi, ata sqarojnë si dhe pasaportën e tij. Në rrugë operativë është arritur të identifikohet automjeti tip “Ford Fokus” me targë AA489KV, i cili është përdorur nga autorët. Ky automjet është marrë me cilësinë e provës materiale dhe gjatë veprimeve të tjera janë gjetur në xhepin e sediljes së pasme të shoferit në automjetin tip “Ford Fokus” që drejtohej nga Mikel Rënxa 5 aparate telefoni celular, nga të cilët dy aparate celularë të cilët ju përkisnin dy marokenëve.

Më pas janë zbuluar të katër personat e dyshuar dhe është kryer paraqitja për njohjen e tyre përballë dy marokenëve. Këta të fundit kanë njohur si autorë të vjedhjes së tyre me dhunë Mikel Rënxa, Klajdi Islamaj dhe Andrea Grabocka, ndërsa shtetasin Kristi Deti nuk kanë arritur ta njohin. Për të qenë të bindur se personat e mësipërm kanë qenë autorët e kësaj grabitje, policia dhe prokuroria e Korçës, i ka përgjuar në ambientet e policisë këta shtetas, ku gjatë bisedave mes tyre provohet se ata së bashku kanë vjedhur me dhunë dy marokenët. Më pas është bërë pyetja e tyre në prani të mbrojtësve të zgjedhur nga ata dhe gjatë deklarimeve të tyre shtetasit Mikel Rënxa, Andrea Grabocka e pranojnë kryerjen e veprës penale. Klajdi Islamaj, ka pranuar kryerjen e veprës penale duke treguar me hollësi mënyrën se si ka ndodhur ajo.