Altin Hazizaj zbuloi në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, se është nga të paktët shqiptarë që ka marrë 4 doza vaksine: dy doza nga vaksina kineze Sinovac dhe dy nga vaksina e Pfizer.
“Kur duhej të bëja vaksinën, në dispozicion për personat pa probleme të tjera ishte vetëm vaksina kineze, Sinovac. Ndërkohë, në Europë u vendosën kufizime dhe nuk mund të udhëtoje nëse nuk kishe dy doza të një vaksine perëndimore. Kjo më detyroi, për shkak të punës, që të vaksinohem me dy doza të tjera. Por, problem është se sistemi e-Albania më tregonte jo më shumë se dy vaksina. Sot, sistemi më tregon vetëm 3 doza vaksine. I kam kërkuar ministres së Shëndetësisë që të marrë masat që të më njihet edhe vaksina e katërt”, deklaroi Hazizaj, nga Qendra për Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
“Dy kinezet i kam bërë te mjeku i familjes, ndërsa vaksinat Pfizer i kam bërë te sheshi “Skënderbej”. Unë besoj te shkenca dhe njoh edhe njerëz të tjerë që kanë bërë 4 doza vaksine”, shtoi Hazizaj.