Bota Paralajmërimi i kryespiunit britanik: Kujdes nga grackat e borxheve kineze

Paralajmërimi i kryespiunit britanik: Kujdes nga grackat e borxheve kineze

Shefi i Shërbimit Sekret të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, ka paralajmëruar njerëzit të bëjnë kujdes nga “grackat e borxheve dhe vjedhjes së të dhënave” të orkestruara nga Kina.

Në një intervistë për BBC Radio 4, shefi i MI6, i njohur edhe si “C”, tha se këto gracka janë kërcënim për sovranitetin e vendit. Ai gjithashtu foli edhe për rënien e Afganistanit në duart e Talebanëve, duke mohuar që ishte një dështim i shërbimeve informative.

Moore, i cili dikur ka qenë një “007” në terren, tha se ishte e rëndësishme që në një demokraci moderne shërbimet sekrete të flisnin më hapur për punën e tyre.

“Kina ka kapacitete për të marrë të dhëna sensitive nga e gjithë bota, ndërsa përdor paratë për të mbajtur të lidhur pas vetes njerëz dhe shtete”, tha Moore. “Nëse lejoni një shtet tjetër që të ketë akses në të dhënat vërtet të rëndësishme të shoqërisë, përgjatë kohës kjo do të gërryejë sovranitetin e shtetit dhe nuk do të keni më kontroll tek ato të dhëna. Ne në Mbretërinë e Bashkuar kemi marrë masa për ta luftuar këtë”.

Sa i përket krizës në lindje të kontinentit europian, kryespiuni britanik tha se Rusia është një kërcënim serioz dhe një problem që po bëhet “kronik” tashmë.