Cristiano Ronaldos, pas 9 sezonesh te gjigantët e Realit të Madridit, iu bashkua Juventusit për t’u dhënë atë shtysën e fundit, që të fitonte Championsin, por që në sezonin e parë dështoi në këtë objektiv. Titulli kampion në Serinë A është shumë pak për një lojtar që ka shënuar 600 gola me të gjitha skuadrat ku ka luajtur, ka fituar 5 Champions dhe 5 “Topa të Artë”.
Në sezonin e parë si bardhezi, vihet re një statistikë që tregon se edhe kampionët e Italisë nuk e kanë ndihmuar për të shkëlqyer si më parë. Ronaldo, kur kanë mbetur edhe 4 javë për t’u luajtur, është golashënuesi i katër më i mirë i Serisë A më 20 finalizime, 3 më pak se kryesuesi Quagliarella.
Nëse bazohemi tek ecuria e deritanishme finalizuese, këto të dhëna janë më të këqijat e portugezit në 10 vitet e fundit. Ai ka arritur të shënojë gjithmonë të paktën 25 gola në një kampionat. Herën e fundit, kur nuk e arriti këtë shifër, ishte sezoni 2008-2009, teksa luante me Manchester United. Asokohe e mbylli Premier League-n me 18 gola.
Në 9 sezonet me Realin, “ylli” portugez ka arritur gjithmonë të paktën 25 gola. Rekordin e ka shënuar në sezonin 2014-2015, kur e mbylli kampionatin me një shifër stratosferike prej 48 golash, që pothuajse përputhet me rekordin e Messit, 50 gola në sezonin 2011-2012.
Ronaldo është lojtari i vetëm, i cili ka shënuar së paku 30 gola në La Liga, gjashtë sezone radhazi (2010-2016).
Cristiano Ronaldo duhet të impenjohet duke luftuar fort në katër ndeshjet e fundit të Serisë A për të shënuar të paktën edhe 5 gola, në mënyrë që të mos e prishë rregullin prej goleadori, si dhe të arrijë veteranin e Sampdorias, Quagliarella, për t’u kurorëzuar ai “Këpuca e Artë” e Serisë A në këtë sezon.