Lulzim Fejzullahu, 18 vjeç, një djalë i rritur jetim, vetëm me të motrën është përplasur me makinë dhe është rrahur barbarisht nga dy adoleshentë, të identifikuar si Artiol Abdullahu dhe Elton Kadriu.
Pamje e rënda që u publikuan dhe në media tregojnë momentin kur dyshja përplasin me makinë Fejzullahun dhe pasi ai bie në tokë nisin ta dhunojnë. Njëri prej tyre e qëllon dhe me një shufër hekuri në kokë, ndërsa tjetri e qëllon me grushte. Autorët largohen duke e lënë 18-vjeçarin pa ndjenja në tokë.
Ata tashmë janë vënë në pranga, ndërsa Fejzullahu ndërroi jetë tre ditë pasi u shtrua në spital. Ai kishte pësuar dëme të mëdha në kokë dhe nuk i mbijetoi dot këtij sulmi. E gjithë zanafilla e sherrit dyshohet se është bërë një konflikt për radhën që djemtë kishin pasur në një berberhane. Të miturit po akuzohen për vrasje, por ligji nuk lejon që ata të dënohen me më shumë se 10 vite heqje lirie, për shkak të moshës.
Të dy autorët janë djem që vijnë nga familje biznesmenësh, babai i Elton Kadriut, Besim Kadriu është pronar i një biznesi dhe jep makina me qira. Ndërsa, babai i Artiol Abdullahut, Medin Abdullahu i cili është pronar i firmës “SOA Security”.
Kush ishte Lulzimi, 18-vjeçari që i morën jetën për radhën në berberhane
Mediat vendase kanë shkuar tek të njohurit e të riut, për të zbuluar më shumë lidhur me personalitetin e tij, ndërsa të gjithë e kanë përshkruar si një person aspak problematik dhe konfliktual. Për shkak se nuk kishte në jetë asnjë nga të dy prindërit, ai ishte detyruar të ndërpresë studimet dhe të punonte. Prej kohësh ishte vendosur në një biznes gastronomie, ku edhe siguronte sadopak të ardhura për të ndihmuar veten dhe të motrën.
Pronari i lokalit e përshkroi Lulzimin si një djalë të përkushtuar në detyrat e tij: ‘Ka qenë shembullor, shumë i urtë, asnjë vërejtje asnjëherë. Ka punu që një vjet e gjysmë. Asnjë vërejtje s’e kemi pas’.
Xhaxhaxi i 18-vjeçarit, Rrahim Fejzullahu, ka rrëfyer për Nacionale dinamikën e ngjarjes, duke zbuluar se e gjitha ka nisur për vendin në berberhane.
Edhe njëherë duke theksuar tipin jokonfliktual të të riut, xhaxhai tregoi se pas debatit brenda në sallon, i riu ishte larguar fare nga atje pa u qethur. Por dy të miturit e tjerë nuk e lanë me kaq dhe e ndoqën nga pas për ta vrarë.
“Djali ka qenë pa dy prindër, ka qenë punëtor, rasti ka qenë një ditë përpara të shtunën, më 13 është hi qeta me i hjekë flokët, qëtu është një berber ku qethen e rruhen. Edhe janë rrokë për vend, jo ulësh ti para meje jo unë para teje, djali është nis me ardh prej shpie mos me u qeth hiç, edhe janë rrokë me krah në derë kah të dalin, si shqiptarët që e kanë traditë pse po më rrok me krahë, kush je ti çka je ti. Djali është nis me ardh prej shtëpie, ata e kanë përcjellë me kerr. Së pari janë shku kanë marrë stupca të bejsbollit, tani e kanë përcjellë qëtu, e kanë zënë te shtëpia aty, e kanë shkelë me kerr. E kur e kanë rrëzu djalin i kanë hi me shipka e qato të bejsbollit në krye, kështu që djali dje në ora 15:20 ka ndërruar jetë. Asnjë shenjë trupit se ka, veç në krye. Kjo është vrasje dy here, një here me kerr tani me stupc. As hak as hile s’iu kam pas, zoti hajr e baftë na ka ndodh, na ka zanë”, ka thënë më tutje xhaxhai i të ndjerit.
Dhimbja e motrës
Motra e të ndjerit ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur dhimbjen dhe zemërimin për humbjen e vëllait të saj në mënyrë tragjike. “Ju kalltë zemra si neve qysh po na kallet, Allah dënoj, kurrë dritë me sy mos pafshin”, ka thënë ajo.