Kryesore E zbulon kreu i SPAK: Ilir Meta është nën hetim

E zbulon kreu i SPAK: Ilir Meta është nën hetim

Kreu i SPAK, Arben Kraja deklaroi në një intervistë për Euronews Albania se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është në hetim për dosjet që janë dorëzuar për financimet në parti.

“Po janë çështje nën hetim, vazhdojnë hetimet edhe për ato. Janë disa çështje që lidhen me financimet e partisë dhe lobimin, nuk mund të them më tepër janë nën hetim. Ne po hetojmë faktet, se kush do të dalë përgjegjës është histori e hetimit”, u shpreh Kraja.

Gjatë intervistës ai nënvizoi se në asnjë moment nuk kanë marrë ndonjë udhëzim nga ndërkombëtarët për ndonjë çështje të caktuar.

Sipas Krajës prokurorët janë të pavarur në vendimmarrje për çështjet që kanë nën hetim.

“Ne nuk marrin udhëzime nga asnjë dhe nuk kemi pasur asnjë udhëzim nga ndërkombëtarët. Ne bashkëpunojmë me ndërkombëtarët me strukturat homologe tona, por jo udhëzime. Ne bashkëpunojmë me ndërkombëtarët me të cilat shkëmbejmë informacione dhe prova. Prokurorët janë të pavarur në vendimmarrje e parashikon kushtetuta dhe ligji. As drejtuesi nuk ndërhyn në punën e tyre”, u shpreh ai.