Të ecësh një herë në javë zvogëlon shanset e vdekjes së hershme, ka thënë një studim i ri.
Analiza tregoi se stërvitja javore, siç është ecja, mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes së hershme me rreth 20 përqind. Por, duke qenë aktivë për më shumë kohë ose duke marrë pjesë në sporte të forta, ka përfitime të tjera shëndetësore, thanë hulumtuesit.
Studimi i ri, i botuar në British Journal of Sports Medicine, tregon se edhe aktivitetet fizike të nivelit të ulët ndikojnë në zvogëlimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, apo edhe kancerit.
Ndërkohë sasi më të larta aktivitetesh ose veprimtari më të fuqishme – siç janë çiklizmi dhe sporti konkurrues – shoqërohen me përfitime shëndetësore shtesë. Krahasuar me njerëz që nuk ishin aktivë, ata që morën pjesë në vetëm 10 deri në 59 minuta në javë të aktiviteteve të moderuara fizike gjatë kohës së lirë, kishin një rrezik rreth 18 për qind më të ulët të vdekjes nga ndonjë shkak gjatë periudhës së studimit.
Udhëzimet e SHBA-së rekomandojnë së paku 150 minuta në javë të aktivitetit të moderuar të kryer në periudha të paktën 10 minutëshe dhe njerëzit që morën pjesë në 150 deri 299 minuta në javë reduktuan rrezikun e përgjithshëm të vdekjes me 31 për qind.
Autori i studimit, Dr Bo Xi, i Universitetit Shandong në Kinë, tha se “studimi tregoi gjithashtu se individët që morën pjesë në aktivitete të fuqishme fizike kishin një rrezik dukshëm më të ulët të vdekjes sesa ata që merreshin me aktivitete të ulëta fizike. Njerëzit duhet të gjejnë kohë për aktivitete më të fuqishme fizike.”