Fotografitë e tij janë të pakta, dhe tregojnë një person në dukje të thjeshtë, me origjinë aziatike dhe nënshtetësi kanadeze.
Por 55-vjeçari Tse Chi Lop nuk është as më shumë dhe as më pak, një “Chapo” aziatik, bosi më i madh i drogës që shpërndahet në atë kontinent.
I lindur në Guandong, në jugun e Kinës, Tse Chi Lop fillon që në moshë të re të bashkëpunojë me organizata të ndryshme kriminale në vendlindje.
Në 1988 arrin të emigrojë në Kanada, duke marrë edhe nënshtetësinë. I akuzuar për trafik heroine në Shtetet e Bashkuara, dënohet me 9 vite burg, por ajo periudhë nuk e pengon të rifillojë trafikun, edhe pse i spostuar në kontinentin aziatik.
Ai njihet si mbreti i metanfetaminës, që thuhet se prodhohet me ritme industriale në pyjet e pakalueshme të Myanmarit, dhe nga aty shkon kudo në Azi, veçanërisht në Japoni dhe Australi, duke patur si rezultat një xhiro që shkon nga 8 deri në 18 miliardë dollarë.
Suksesi në tregtinë e ka vënë në krye të kartelit aziatik “Shoqëria”, i përbërë nga familjet më të mëdha të Hong Kongut dhe Taiwanit.
Legjendat për të nuk kanë të sosur, edhe pse mbetet një personazh misterioz.
Është shume i përpiktë në biznesin e tij, dhe kur sekuestrohet një sasi droge porositësve, ai u dërgon falas të njëjtën sasi. Rrethohet nga një grup luftëtarësh tajlandez që e ndjekin kudo, edhe në kazino, që është një nga pasionet e tij. Në njërin prej tyre mendohet se në një natë ka humbur 66 milionë dollarë.
Ndërkohë, mes luksit, festave luksoze dhe tentativave të dështuara për ta kapur, biznesi i tij duket se po shkon për së mbari, duke parë çmimin e metanfetaminës që bie në tregun e zi nga dita në ditë.