Pas Presidentit të Republikës, Ilir Meta, është ish-kryeministri Sali Berisha që përmend në deklaratë miliarderin George Soros. Në një komunikim me gazetarët jashtë ambienteve të selisë së PD-së, Berisha e konsideroi reformën në drejtësi si një pseudo-reformë të Sorosit, që i ka dhënë kryeministrit Edi Rama të gjitha pushtetet.
“Ishte ajo pseudo-reformë e Geroge Soros që do i jepte Edi Ramës të gjitha pushtetet”, u shpreh Berisha.
Duke komentuar votimet e 30 qershorit, Berisha theksoi se “ODIHR i shpalli zgjedhjet antikushtetuese. ODIHR u tha shqiptarëve se narko-komisioni i Denar Bibës e zbatoi ligjin në mënyrë kreative.”
Ish-kryeministri nuk pranoi as deklaratat, një prej tyre ishte edhe ajo e zyrtarit të SHBA, Palmer, se do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të gjykojë vlefshmërinë e 30 qershorit. Berisha tha se këto qëndrime janë qesharake.
“Shqiptarët kanë shumë të meta dhe defekte, por një gjë e kanë, që absolutisht kurrë sapunin për djath nuk e hanë. Ata që u thonë shqiptarëve që të gjykojë Gjykata Kushtetuese pasi është varrosur i dënuari, ata bëjnë një propozim qesharak. Po kaq qesharak është edhe ideja se të hetojë drejtësia regjistrime që faktojnë në mënyrën më flagrante që Shqipëria drejtohet nga narko-mafia. Cila mafie heton veten?”, u shpreh Berisha.