Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian edhe Gjermania mbështet qeverinë “Rama” duke e cilësuar si legjitime.
Ambasadorja Susanne Schütz thotë se reformat politike aktuale duhet të vazhdojnë më tej.
Ambasadorja e Gjermanisë Schütz deklaron se mbështet reformën në drejtësi dhe procese të tjera me rëndësi për të ardhmen e Shqipërisë.
Ajo po ashtu thotë se respekton vendimin e opozitës për lënien e mandateve, si dhe marrjen e tyre nga deputetët e rinj, megjithëse shton se vendi ku duhet zhvilluar debati politik është Parlamenti.
Keqardhje Schütz shpreh edhe për mosmiratimin e reformës zgjedhore.
Deklaratë e ambasadores së Gjermanisë Schütz:
Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë, në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç. Përshëndes faktin që – edhe pse ngadalë – reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale. Në këtë kontekst përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut. Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët, por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore.
Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve. Njëkohshëm theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend.
Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve.