“Jo certifikatës së turpit”, apo “Liri për të zgjedhur”. Këto ishin disa prej sloganeve që thërrisnin qindra protestuesit në Paris, kundër implementimit të certifikatës shëndetësore dhe vaksinimit të detyrueshëm, ndërsa qeveria franceze përpiqet të frenojë valën e 4 të infektimeve në vend.
Nga 21 korriku, atyre që duan të vizitojnë muzetë, kinematë apo pishinat në Francë do t’u mohohet hyrja nëse nuk tregojnë një dokument që vërteton se janë vaksinuar kundër Covid-19 apo një test negativ. Në Asamblenë Kombëtare, ligjvënësit debatuan mbi zgjerimin e certifikatës edhe përqasjen në kafene apo restorante.
Projektligji i debatuar në parlament, formalizoi planin e ri të qeverisë që përfshin vaksinim të detyrueshëm për punonjësit e shëndetësisë.
“Le të më pushojnë nga puna, nuk më intereson. Ne nuk duam të vaksinohemi”, thotë një punonjëse e kujdesit shëndetësor në protestë.
Certifikata shëndetësore, e cila fillimisht kërkohej vetëm për aktivitete me grumbullime masive, nga fillimi i gushtit do të jetë e nevojshme për të hyrë në restorante dhe bare e për udhëtime të gjata me tren dhe avionë.
Franca po bën çdo përpjekje për të inkurajuar vaksinimin mes përhapjes së shpejtë të variantit Delta. Gati 11 mijë raste u regjistruan në 24 orët e fundit.
Edhe Italia do të vendosë kufizime për ata që nuk janë vaksinuar
Personat që nuk janë vaksinuar do të përballen me kufizime në Itali. Qeveria do t’u ndalojë atyre hyrjen në restorante, klube të natës, palestra dhe stadiume sportive. Gjithashtu po shqyrton kufizimin në qasje në trena dhe udhëtimet ajrore brenda vendit. Për të mundësuar qasjen në këto vende dhe shërbime publike, qytetarët do të duhet të tregojnë “pasaportën shëndetësore të imunitetit”, që vërteton vaksinimin ndaj Covid-19 ose rezultatin negativ të një testi. Banorët e Romës janë të ndarë lidhur me aplikimin e kësaj mase.
“Nuk e shoh të nevojshme aplikimin e “green pass-it”. Mendoj se ata që duhej të vaksinoheshin janë vaksinuar dhe në këtë pikë të kërkohet një pasaportë imuniteti për të ngrënë në një restorant me duket e ekzagjeruar”, u shpreh Federica Grimoldi, banore e Romës.
“Aplikimi i green pass në restorante më duket e tepruar, ndërsa në vendet e tjera e shoh të nevojshme”, tha Massimo Prota, banor i Romës.
“E mbështes shumë pasaportën e imunitetit, shpresoj të bëhet me detyrim”, tha një tjetër banore e Romës. Pronarët e restoranteve e shohin me skepticizëm këtë vendim.
“Kemi mbërritur në një fund pa krye, pasi qeveria po detyron njerëzit të marrin vaksinën edhe kur nuk duan. Si është e mundur kjo?”, u shpreh pronarja e një restoranti.
Rritja e rasteve të reja me Covid-19, për shkak të variantit delta që përhapet më shpejt, po i jep një shtysë tjetër programit të vaksinimit në Itali. Qeveria kërkon që me çdo kusht të imunizojë sa më shumë persona, teksa thuajse 40 për qind e të rriturve ende nuk kanë marrë një dozë.