Një protestë masive do të mbahet të shtunën në Podgoricë, me kërkesën e largimit të presidentit malazez dhe kryeprokurorit për krimin e organizuar.
Protesta është organizuar nga një grup intelektualësh, akademikësh, aktivistësh nga OJQ të ndryshme dhe gazetarësh, të cilët presin që nismës së tyre t’i bashkohen mijëra qytetarë.
Ky grup njerëzish e akuzon udhëheqësin e përjetshëm të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, për korrupsion sistematik dhe kufizim të lirisë së shtypit. Përveç dorëheqjes së tij kërkohet edhe ajo e prokurorit të lartë shtetëror, Ivica Stankoviç, dhe atij përgjegjës për krimin e organizuar, Milivoje Katniç.
Të dy këta zyrtarë, sipas BIRN-it akuzohen se kanë injoruar provat dhe nuk e kanë gjurmuar korrupsionin në rrethin e ngushtë të Gjukanoviçit.
“Po presim ende rezultatin e gjykimit për manipulime në zgjedhje, pastrim parash dhe skandalet e korrupsionit”, thuhet në deklaratën për shtyp të lëshuar nga organizatorët e tubimit.
Protesta me moton “Odupri se!” (Rezisto!), vjen në kohën kur vendi përballet me një krizë të thellë politike. Në mesin e muajit janar u bë publike një video, në të cilen shihej Dusko Knezeviç, president i Bankes “Atlas Group” teksa i dorëzonte një zarf një anëtari të partisë së Gjukanoviçit, DPS, i cili përmbante – nga sa rrëfeu më vonë vet Knezeviç, – 100 mijë dollarë për financimin e fushatës së kësaj force politike.
Knezeviç, i akuzuar për pastrim parash e që aktualisht mendohet të jetë në Londër, ka thënë për mediet vendase se kishte 25 vite që jepte fshehurazi parà për DPS-në. Vet kjo parti dhe Gjukanoviçi i mohojnë të tilla pretendime, e këmbëngulin se të gjitha donacionet janë shënuar në regjistrat financiare të DPS-së.