Për të dytin vit me radhë, BMW AG ia kaloi rivalit Mercedes-Benz AG, duke mundur të menaxhojë më mirë problemet e zinxhirit të furnizimit që pengojnë prodhimin e automjeteve në botë.
Dërgesat botërore të automjeteve të markës BMW ranë me 5% në 2.1 milionë njësi vitin e kaluar, duke lënë pas Mercedes, dërgesat e së cilës ranë me 1% në 2.04 milionë njësi.
Edhe pse të dyja markat regjistruan rritje të shitjeve në muajt e fundit të vitit 2022, nuk ia kanë dalë të kompensojnë humbjet në biznes në tremujorin e parë, kur mungesa e pjesëve të këmbimit dhe lufta në Ukrainë kufizuan prodhimin.
Kohët e fundit, shtëpitë automobilistike janë përballur me forcimin e erërave të kundërta, duke përfshirë rritjen e energjisë dhe kostot e huamarrjes.
Aksionet e Tesla Inc. ranë për shkak të shqetësimeve të kërkesës në Kinë, tregu më i madh automobilistik, ku kompanitë vendase BYD Co., Xpeng Inc. e Nio Inc. kanë rritur konkurrencën.
BMW, Mercedes dhe Audi e Volkswagen AG – të cilat dërguan 1.61 milionë makina në nivel global – regjistruan rënie të shitjeve në Kinë, për shkak të kufizimeve të ashpra nga Covid, që i kanë mbajtur klientët larg nga showroom. Vitin e kaluar, Mercedez uli çmimin për sedanin elektrik kryesor EQS në një lëvizje për t’u ripozicionuar në një treg konkurrues.
Dërgesat e automjeteve elektrike ishin një pikë e fortë për kompanitë gjermane, të cilat prezantuan modele të reja me bateri dhe janë përpjekur të respektojnë rregulloret shtrënguese të emetimeve.
Për BMW, shitjet e automjeteve elektrike si sedani i4 u më se dyfishuan, duke arritur në 215.755 njësi. Edhe Mercedes i dyfishoi shitjet e makinave elektrike, duke arritur në 117.800 njësi. Kompania deklaroi se modelet elektrike dhe hubride plug-in përfaqësojnë 15% të dërgesave totale.
Dërgesat e makinave elektrike të Audi u rritën me 44% vitin e kaluar.
“Do të ruajmë kursin tonë për një rritje më fitimprurëse në vitin 2023 – deklaroi Pieter Nota, përgjegjës i shitjeve në BMW, në një deklaratë. – Vëmendja do të jetë sigurisht e përqendruar te lëvizshmëria elektrike”./Bloomberg