Aktualitet Sekuestrohen 62 mijë litra naftë në Durrës, arrestohen 3 shqiptarë dhe 10...

Sekuestrohen 62 mijë litra naftë në Durrës, arrestohen 3 shqiptarë dhe 10 të huaj (Emrat)

62 mijë litra naftë, e ardhur nga Libia, janë sekuestruar në Policia e Shtetit gjatë një operacioni të përbashkët me Guardia di Finanza. Nafta është kapur në Durrës dhe dyshohet se është kontrabandë.

Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku, nëpërmjet një deklarate për shtyp, bëri me dije se në cilësinë e provës materiale përveç naftës, janë vënë edhe dy anijet, një shqiptare dhe një nga Libia që dyshohet se po kryenin kontrabandën.

“Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 2 anijet e peshkimit, konkretisht anijen shqiptare “Geni” dhe anijen libiane “ABOBAKR 124”, të cilat në përfundim të veprimeve të para hetimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 62.000 litra naftë pa dokumentacionin përkatës”, deklaroi Boshnjaku.

Në pranga kanë rënë gjithsej 13 persona, mes të cilëve 10 të huaj. Tre shqiptarët e arrestuar janë Elton Qevani, Klajdi Kapxhiu dhe Selim Gaba të gjithë banues në Durrës. Ata, së bashku me Muhamet Eltawargy-n, gjithashtu i vënë në pranga, ishin pjesëtarë të ekuipazhit të anijes “Geni”.

Ndërkohë nga anija “Abobakr 124” janë vënë në pranga Muhamed Arafe, Ahmed Zantawi, Ahmet Abdurrabu, Said Nwegi, Muhamed Mahmut, Eshref Kahlife, Islam Ashkar, Ali Hadad dhe Adil Badawi.

Policia ka bërë publike edhe pamjet e momentit kur dy anijet kapen në mes të detit teksa kryejnë kontrabandën e naftës. Uniformat blu thonë se për këtë operacioni lindi nevoja dhe është përfshirë edhe një avion i Guardia di Finanza-s e Barit në Itali.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, drejtori Boshnjaku tha se autoritetet besojnë që kontrabanduesit synonin që ta fusnin naftën në Shqipëri.

“Ne besojmë që nafta ishte për të ardhur në Shqipëri.  Kemi pasur edhe informacione të tjera nga strukturat e policisë së shtetit. Ky nuk është rasti i parë i goditjes së kësaj veprimtarie, Kemi pasur disa raste të tjera, në kuadër të verifikimit të informacioneve marrim masat për ta parandaluar dhe goditur këtë veprimtari”, u shpreh Boshnjaku.

Operacioni policor i koduar “Geni” ka zgjatur 48 orë ku u përfshinë shërbimet e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, në bashkëpunim me shërbimet e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Durrës, Delta Forcë, shërbimet e Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, shërbimet e QNOD-së dhe roja bregdetare.

Deklarata e plotë

Jemi këtu së bashku me përfaqësuesit e GDF-së dhe të Zyrës së Interforcës italiane në Shqipëri, për të bërë prezente rezultatet e një tjetër operacioni të përbashkët për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.

Në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, midis strukturave të Policisë së Shtetit,  Zyrës Ndërlidhëse italiane Interforcë, GDF-së, QNOD-së dhe rojës bregdetare, bazuar në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, se në hapësirën detare mund të kryhej veprimtaria e paligjshme e kontrabandimit të naftës për në Shqipëri, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Geni”.

Bazuar në këto informacione të siguruara nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, lindi nevoja e përfshirjes në operacion edhe të një avioni të GDF-së, e Barit të Italisë.

Në operacion u përfshinë shërbimet e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, në bashkëpunim me shërbimet e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Durrës, Delta Forcë, shërbimet e Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, shërbimet e QNOD-së dhe roja bregdetare.

Si rezultat i koordinimit të shërbimeve u bë i mundur identifikimi i dy anijeve të peshkimit të cilat dyshohet se po realizonin këtë veprimtari të kundërligjshme, në det.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 2 anijet e peshkimit, konkretisht anijen shqiptare “Geni” dhe anijen libiane “ABOBAKR 124”, të cilat në përfundim të veprimeve të para hetimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 62.000 litra naftë pa dokumentacionin përkatës.

Në vijim të veprimeve hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 12 Janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i  pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes “Geni”, konkretisht:

Elton Qevani, 31 vjeç, Klajdi Kapxhiu, 30 vjeç, Selim Gaba, 65 vjeç, banues në Durrës dhe Muhamet Eltawargy, 50 vjeç, shtetas i huaj.

Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Po në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, më datë 13 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të huaj, pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes libiane “Abobakr 124”, e cila dyshohet se ka furnizuar me naftë të kontrabanduar anijen shqiptare, konkretisht shtetasit:

Muhamed Arafe, 48 vjeç, Ahmed Zantawi, 34 vjeç, Ahmet Abdurrabu, 32 vjeç, Said Nwegi, 38 vjeç, Muhamed Mahmut, 61 vjeç, Eshref Kahlife, 34 vjeç, Islam Ashkar, 34 vjeç, Ali Hadad, 43 vjeç dhe Adil Badawi, 55 vjeç.

Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”.

Operacioni policor dhe veprimet hetimore kanë zgjatur 48 orë, në det dhe në tokë. Gjatë operacionit u bllokuan 2 anijet dhe u arrestuan pjesëtarët e ekuipazheve të tyre.

Strukturat hetimore, nën Drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Duhet theksuar fakti se gjatë këtij operacioni pati një koordinim dhe veprim të shkëlqyer mes strukturave të Policisë së Shtetit, GDF-së, Zyrës Ndërlidhëse italiane me qendër në Shqipëri dhe rojës bregdetare.

Ky operacion dhe operacionet e tjera të përbashkëta të zhvilluara më parë me partnerët italianë, tregojnë qartë besueshmërinë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin mes strukturave policore të të dyja vendeve.

Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.